Maqedonia e Veriut shpall 7 ditë zie pas tragjedisë në Koçani
Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka vendosur shtatë ditë zie në mbarë territorin e vendit, të përgjigjen të gjithë të përfshirët në këtë ngjarje tragjike, si dhe një inspektim të jashtëzakonshëm të të gjitha objekteve hotelierike

Shkup
Qeveria e Maqedonisë së Veriut në një seancë qeveritare të jashtëzakonshme pas tragjedisë në Koçani ka vendosur shtatë ditë zie në mbarë territorin e vendit, të përgjigjen të gjithë të përfshirët në këtë ngjarje tragjike, si dhe një inspektim të jashtëzakonshëm të të gjitha objekteve hotelierike, transmeton Anadolu.
Sipas informacioneve të fundit, të paktën 59 persona humbën jetën dhe rreth 155 të tjerë u plagosën si pasojë e një zjarri që shpërtheu në një diskotekë në Koçani në një ngjarje argëtimi nga një grup muzikor.
Në seancën qeveritare, që filloi me një minutë heshtje në nder të njerëzve që humbën jetën, gjithashtu u mor vendim me të cilin obligohet Inspektorati Shtetëror i Tregut që në tre ditët e ardhshme në territorin e vendit të kryejnë inspektim të jashtëzakonshëm në objektet hotelierike, si në klube nate dhe diskoteke.
Më pas, qeveria do të përcaktojë situatën aktuale nëse ato funksionojnë sipas standardeve dhe përmbushin kërkesat në përputhje me ligjet dhe rregulloret e vendit.
Qeveria informoi se në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe institucionet e tjera kompetente po punon për zbardhjen e plotë të rastit duke mbledhur provat materiale, që të gjithë të përfshirët në këtë ngjarje tragjike që kanë kontribuar në rrezikimin e jetëve njerëzore do të sillen para organeve të drejtësisë dhe do të mbajnë përgjegjësi.
“I shprehim ngushëllimet më të thella familjeve të viktimave, në këtë ngjarje tragjike nuk ka fjalë që mund të lehtësojnë dhimbjen e humbjes së pariparueshme”, thuhet në njoftimin nga qeveria, duke u theksuar se të gjitha objektet shëndetësore janë në dispozicion dhe ofrojnë kujdes shëndetësor dhe ndihmë për shërimin e shpejtë të të lënduarve.
Më herët, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, njoftoi të martën, 18 marsin, si ditë zie në Serbi, si dhe paralajmëroi “ndihmë të shpejtë, të fuqishme dhe gjithëpërfshirëse” për Maqedoninë e Veriut pas aksidentit tragjik në diskotekën në Koçani.
Gjithashtu edhe kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiq, njoftoi se e hëna, 17 marsi, do të jetë ditë zie në vendin e tij, duke shprehur gatishmëri se “qeveria malazeze është e gatshme të qëndrojë pranë popullit mik të Maqedonisë së Veriut në të gjitha mënyrat e nevojshme”.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.