Maqedonia e Veriut shënon 35-vjetorin e pavarësisë
- E njohur më parë si Maqedoni, ajo shpalli pavarësinë pas trazirave politike dhe konflikteve që ndodhën në ish-Jugosllavi në fillim të viteve 1990.
Dzihat Aliju
08 shtator 2026•Përditësim: 08 shtator 2026
Shkup
DZIHAT ALIJU
Maqedonia e Veriut, një nga vendet e Ballkanit, sot shënon 35-vjetorin e pavarësisë, raporton Anadolu.
E njohur më parë si Maqedoni, ajo shpalli pavarësinë pas trazirave politike dhe konflikteve që ndodhën në ish-Jugosllavi në fillim të viteve 1990.
Në Maqedoninë e Veriut, më 8 shtator të vitit 1991, u mbajt referendumi për pavarësi, në të cilin 95,3 për qind e pjesëmarrësve votuan për pavarësinë e vendit. Më pas, shumë vende, përfshirë Turqinë, njohën pavarësinë e vendit, i cili në atë kohë quhej Maqedoni.
Kiro Gligorov u bë presidenti i parë i vendit, ndërsa më 26 prill 1992 u hodh në qarkullim monedha kombëtare. Në gusht të po atij viti u themelua edhe ushtria.
Në votimin e mbajtur më 8 prill 1993 në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (OKB), Maqedonia u pranua njëzëri si anëtare e OKB-së. Megjithatë, për shkak të kundërshtimit të fqinjit të saj jugor, Greqisë, vendi u pranua me referencën e përkohshme “Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë”.
Menjëherë pasi fitoi pavarësinë, Maqedonia e Veriut përcaktoi disa objektiva strategjike, ndër të cilat anëtarësimin në Bashkimin Evropian (BE) dhe në NATO.
Pas negociatave të gjata, vendi u bë anëtar i NATO-s në vitin 2020 dhe pavarësisht pengesave të shumta me të cilat është përballur herë pas here, ajo synon që në të ardhmen të bëhet anëtar i plotë i BE-së.
- Pas ndryshimit të emrit, vendi u bë anëtar i NATO-s
Megjithëse negociatat për zgjidhjen e kontestit të emrit mes Maqedonisë dhe Greqisë u ndërprenë disa herë gjatë viteve, ato vazhduan në periudha të ndryshme.
Pas negociatave të zhvilluara me ndërmjetësimin e OKB-së, në qershor të vitit 2018 mes dy vendeve u nënshkrua Marrëveshja e Prespës.
Sipas marrëveshjes, e cila përfshinte zgjidhjen e çështjes së emrit dhe partneritetin strategjik, parashihej që emri i vendit të ndryshohej në "Maqedonia e Veriut". Në kuadër të kësaj, në shtator të vitit 2018 u mbajt referendum.
Në referendum, qytetarëve iu parashtrua pyetja: "A jeni për anëtarësim në BE dhe NATO duke e pranuar marrëveshjen mes Maqedonisë dhe Greqisë?". Nga pjesëmarrësit në referendum, 91,46 për qind votuan "pro".
Votimi u bojkotua nga opozita e atëhershme, ndërsa pjesëmarrja në referendum ishte 36,91 për qind.
- Negociatat e anëtarësimit me BE-në nisën në vitin 2022
Maqedonia e Veriut, e cila kishte marrë statusin e vendit kandidat në vitin 2005, nisi negociatat e anëtarësimit me BE-në duke mbajtur konferencën e parë ndërqeveritare më 19 korrik 2022.
Pasi Maqedonia e Veriut të miratojë ndryshimet e nevojshme kushtetuese që burojnë nga protokolli dypalësh i nënshkruar me Bullgarinë, parashihet të fillojë hapjen e kapitujve të negociatave për anëtarësim në BE. Kjo përfshin, ndër të tjera, edhe përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut.
Maqedonia e Veriut nuk mund të hapë kapitujt e negociatave me BE-në pa përfshirjen e bullgarëve në kushtetutë. Për realizimin e këtij ndryshimi nevojitet shumica prej dy të tretash në Kuvendin me 120 deputetë, përkatësisht votat e 80 deputetëve.
Sipas ndryshimeve të planifikuara, formulimit në Kushtetutë që përmend "qytetarët e Maqedonisë së Veriut; maqedonasit, shqiptarët, turqit, vllehët, serbët, romët dhe boshnjakët" duhet t'i shtohen edhe "bullgarët, kroatët, malazezët, sllovenët, hebrenjtë dhe egjiptianët".