BALLKANI

Mbetet në fuqi masa arrest në burg për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj

Në një njoftim për mediat, GJPAKKO-ja ka konfirmuar se në seancën e sotme për Veliajn është miratuar vendimi i Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar

Fatjon Cuka  | 13.03.2025 - Përdıtësım : 13.03.2025
Mbetet në fuqi masa arrest në burg për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj

Tiranë

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar e Shqipërisë (GJPAKKO) ka lënë në fuqi masën arrest në burg ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, transmeton Anadolu.

Në një njoftim për mediat, GJPAKKO-ja ka konfirmuar se në seancën e sotme për Veliajn është miratuar vendimi i Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Veliaj ndodhet në paraburgim, i dyshuar për korrupsion dhe pastrim parash, ndërkohë për çështjen ndaj tij në apel u zhvilluan disa seanca në ditët e fundit.

Sipas gjykatës së apelit, kundër vendimit të sotëm mund të bëhet ankesë në Gjykatën e Lartë të Shqipërisë.

Veliaj kundërshton masën arrest në burg që u la në fuqi më 13 shkurt nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar e Shqipërisë (GJKKO).


- Arrestimi i kryebashkiakut Veliaj

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Veliaj, është arrestuar më 10 shkurt, i dyshuar sipas autoriteteve për korrupsion dhe pastrim parash dhe aktualisht ndodhet në paraburgim.

Ndërkohë, ndaj bashkëshortes së Veliajt, Ajola Xoxa, është vendosur masa “ndalim i daljes jashtë shtetit” dhe “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, e dyshuar për disa vepra penale.

Veliaj është kryetar i Bashkisë së Tiranës që prej vitit 2015, ndërkohë ka mbajtur post edhe në Qeverinë e Shqipërisë, si dhe ka qenë edhe deputet.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın