BALLKANI

Mbyllet Qendra Përkujtimore e Srebrenicës për vizitorët për shkak të shqetësimeve të sigurisë

Në postim bëhet e ditur se qendra në të cilën ndodhen varret e më shumë se 6.000 civilëve boshnjakë që humbën jetën në gjenocidin e Srebrenicës në vitin 1995 dhe shumë dëshmi të gjenocidit, do të qëndrojë e mbyllur deri në një datë të mëvonshme

Lejla Biogradlija  | 07.03.2025 - Përdıtësım : 09.03.2025
Mbyllet Qendra Përkujtimore e Srebrenicës për vizitorët për shkak të shqetësimeve të sigurisë

Ankara

Qendra Përkujtimore e Srebrenicës, e cila përfshin varret e atyre që humbën jetën në gjenocidin gjatë luftës së viteve 1992-1995 në Bosnjë e Hercegovinë (BeH) ka vendosur të mbyllë dyert si për punonjësit ashtu edhe për vizitorët për shkak të shqetësimeve të sigurisë në vend, raporton Anadolu.

Në një postim në llogarinë e mediave sociale X të Qendrës Përkujtimore të Srebrenicës, thuhet se një shqetësim sigurie është krijuar në vend nga mosfunksionimi në entitet i institucioneve shtetërore Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Prokurorial të BeH-së (VSTV), Prokurorisë së BeH-së, Gjykatës së BeH-së dhe Agjencisë së Hetimit dhe Mbrojtjes së BeH-së (SIPA), pasi Milorad Dodik, presidenti i Republikës Sërpska (RS) një nga dy entitetet në BeH ndërmori vendime antikushtetuese.

Në postim bëhet e ditur se qendra në të cilën ndodhen varret e më shumë se 6.000 civilëve boshnjakë që humbën jetën në gjenocidin e Srebrenicës në vitin 1995 dhe shumë dëshmi të gjenocidit, do të qëndrojë e mbyllur deri në një datë të mëvonshme.

Më tej thuhet se punonjësit do të vazhdojnë turnin nga shtëpia dhe se qendra nuk do të presë vizitorë për arsye sigurie.


- Praktikat antikushtetuese të presidentit të RS Dodik në BeH

Javën e kaluar, Asambleja Kombëtare e RS (NSRS) votoi për ndalimin e veprimtarive në entitetin e RS të institucioneve shtetërore VSTV, Prokurorisë së BeH-së, Gjykatës së BeH-së dhe SIPA.

Dodik i cili njoftoi se kishte firmosur vendime që ishin në kundërshtim me kushtetutën e vendit, ka deklaruar se nuk do t'u përgjigjej thirrjeve nga gjykata apo prokuroria pas hyrjes në fuqi të të ashtuquajturave ligje dhe se do të mbrohej nga policia e RS.

Në mediat vendase u raportua se serbët e BeH-së që punojnë në katër institucione në RS, aktivitetet e të cilëve do të pezullohen, duhet të japin dorëheqjen nga puna ose të përballen me dënime me burg, si pjesë e hapave të ndërmarra nga Dodik të cilat thuhet se synojnë "krijimin e panikut në publik". Mediat vendase i cilësuan këto vendime nga Dodik dhe NSRS si një "grusht shteti".

Vendimet në fjalë u morën pasi Gjykata e BeH-së e dënoi Dodikun me 1 vit burg dhe 6 vjet ndalesë në veprimtari politike për "mosrespektim të vendimeve të Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë (OHR)".

Për Dodikun reaguan shumë shtetarë, përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile dhe gazetarë nga brenda dhe jashtë vendit.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.