Media kroate: Arrestohet ministri i Shëndetësisë Berosh, kryeministri e shkarkon nga detyra
Arrestimet dhe aksionet urgjente janë rezultat i hetimeve të kryera më parë nga Zyra për Ndalimin e Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (USKOK), tha Zyra
Sarajevë
Mediat kroate raportuan mëngjesin e sotëm se ministri i Shëndetësisë Vili Berosh është arrestuar në një operacion nga Zyra për Ndalimin e Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (USKOK), transmeton Anadolu.
Herët në mëngjes policia ka bastisur shtëpinë e Beroshit në Zagreb dhe më pas, sipas raportimeve të mediave, ministri është arrestuar.
Sipas raportimeve, kryeministri kroat Andrej Plenkoviq e ka shkarkuar Beroshin nga posti i tij ministror.
Siç thuhet më tej, ai ka emëruar Irena Hrstiqin si sekretare shtetërore për menaxhimin e Ministrisë së Shëndetësisë deri në marrjen e detyrës nga ministri i ri.
Sipas pretendimeve, bëhet fjalë për blerje të pajisjeve mjekësore për neurokirurgji në spitalin Vinograd të Zagrebit.
Sipas informacioneve jozyrtare, në operacionin e USKOK-ut ka më shumë persona të arrestuar.
"Arrestimet dhe kryerja e askioneve urgjente dëshmuese janë rezultat i hetimeve të kryera më parë nga USKOK-u. Aksionet e sipërpërmendura po kryhen në zonën e Zagrebit dhe Skradinit në lidhje me disa persona, njëri prej të cilëve është zyrtar i rangut të lartë shtetëror, të cilët me arsye dyshohet se kanë kryer vepra penale korruptive. Pas marrjes në pyetje të të dyshuarit, USKOK-u do të marrë vendim për veprime të mëtejshme në këtë rast, për të cilat do ta informojë publikun me kohë", njofton USKOK-u.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.