Mickoski: Kjo është një ditë e vështirë dhe shumë e trishtueshme për Maqedoninë
Kryeministri Mickoski ka anuluar udhëtimin e tij në Podgoricë për takimin e nesërm të PPE-së. Ai po ashtu do të kërkojë shtyrjen e samitit të Ballkanit Perëndimor që është planifikuar të mbahet në Shkup

Shkup
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, pas aksidentit të zjarrit në një diskotekë në Koçani, ku humbën jetën të paktën 51 persona, ka reaguar duke shprehur ngushëllime për të afërmit e personave që humbën jetën dhe shërbim të shpejtë për të plagosurit, transmeton Anadolu.
Kryeministri Mickoski në rrjetet sociale tha se në “këto momente trishtimi të thellë, mendimet tona jamë me ata që kanë humbur të dashurit e tyre”. Ai u uroi shërim të shpejtë të plagosurve, ndërsa familjeve të të ndjerëve “forcë për të përballuar këtë humbje të paimagjinueshme”.
“Kjo është një ditë e vështirë dhe shumë e trishtueshme për Maqedoninë. Humbja e kaq shumë jetëve të të rinjve është e pazëvendësueshme dhe dhimbja e familjeve, e të afërmve dhe miqve është e pafund”, theksoi Mickoski.
Ai u bëri thirrje të gjitha institucioneve kompetente, si shërbimeve shëndetësore, policisë dhe autoriteteve lokale, që të marrin masa urgjente për të ndihmuar të plagosurit dhe për të mbështetur familjet e prekura.
Ai po ashtu tha se është plotësisht e mobilizuar dhe do të bëjë gjithçka që është e nevojshme për të përballuar pasojat dhe për të përcaktuar shkaqet e kësaj tragjedie.
“Në këto kohë pikëllimi të thellë, kur zemrat tona janë thyer nga dhimbja për shkak të kësaj tragjedie të tmerrshme, bëj thirrje për bashkim, solidaritet, humanizëm dhe përgjegjësi”, tha ai.
Nga qeveria njoftojnë se kryeministri Mickoski nga mëngjesi i sotëm po përcjellë situatën pas zjarrit katastrofik në Koçani dhe ka anuluar udhëtimin e tij në Podgoricë për takimin e nesërm të Partisë Popullore Evropiane (PPE). Ai po ashtu do të kërkojë shtyrjen e samitit të Ballkanit Perëndimor që është planifikuar të mbahet në Shkup të mërkurën dhe të enjten.
Autoritetet njoftuan se të paktën 51 persona kanë humbur jetën dhe mbi 100 të tjerë janë plagosur si pasojë e një zjarri që shpërtheu në një diskotekë në Koçani në një ngjarje argëtimi nga një grup muzikor.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.