BALLKANI

Ministri Hoxha: Rendi dhe siguria në Shqipëri janë në parametra shumë të mirë

"Rendi dhe siguria në vend janë në parametra shumë të mirë dhe tashmë krahasimin e bëjmë me vendet anëtare të Bashkimit Evropian", tha ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha

Fatjon Cuka  | 23.09.2024 - Përdıtësım : 25.09.2024
Ministri Hoxha: Rendi dhe siguria në Shqipëri janë në parametra shumë të mirë Foto: Olsi Shehu/AA

Tiranë

Ministri i Punëve të Brendshme i Shqipërisë, Ervin Hoxha, ka deklaruar se situata e rendit dhe qetësisë në Shqipëri është shumë e qëndrueshme dhe në parametra shumë të mirë, raporton Anadolu.

Në seancën dëgjimore të organizuar nga Komisioni për Sigurinë Kombëtare i Kuvendit të Shqipërisë, ministri Hoxha foli mbi gjendjen e rendit dhe të sigurisë në vend, operacionet policore dhe çështje të tjera.

Ai tha se policia është në krye të detyrës dhe theksoi se do të vazhdojë të lartësojë këtë mision në ditët në vijim.

"Vëmendja ndaj sigurisë së qytetarëve ka udhëhequr çdo përpjekje dhe arritje të Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit, si për hartimin e legjislacionit të një rëndësie të veçantë, ashtu edhe për rritjen e bashkëpunimit me institucionet ligjzbatuese në vend dhe me partnerët ndërkombëtarë", tha ministri Hoxha.

Duke folur në lidhje me ngjarjet e ndryshme kriminale, ai tha se gjatë vitit 2024, janë regjistruar 28 vrasje, nga 35 që ka patur përgjatë vitit 2023.

"Rendi dhe siguria në vend janë në parametra shumë të mirë dhe tashmë krahasimin e bëjmë me vendet anëtare të Bashkimit Evropian", u shpreh ministri Hoxha.

Ministri Hoxha tha se numri i personave të arrestuar gjatë vitit 2024, krahasuar me një vit më parë është më i lartë, si për ata të shpallur në kërkim kombëtar dhe për ata në kërkim ndërkombëtar.

"Më konkretisht, për personat në kërkim kombëtar, gjatë periudhës Janar-Gusht 2024, janë kapur 209 persona më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar, ose e thënë ndryshe 17 për qind më shumë. Për personat në kërkim ndërkombëtar, gjatë periudhës Janar-Gusht 2024 janë kapur 61 më shumë se vitin e kaluar, ose 43 për qind më shumë", tha ndër të tjera ai.

Ministri Hoxha theksoi se gjatë këtij viti, Policia e Shqipërisë është e përfshirë në rreth 20 skuadra të përbashkëta hetimore dhe në 81 operacione policore me homologet e vendeve të BE-së dhe më gjerë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın