Agim Sulaj
16 nëntor 2022•Përditësim: 16 nëntor 2022
Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj, gjatë vizitës së tij dyditore në Holandë ka vizituar ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) të cilët janë në paraburgim në Gjykatën Speciale për krime lufte me seli në Hagë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Mehaj, i cili nëpërmjet rrjeteve sociale ka thënë se UÇK-ja do të dalë sërish fitimtare, bëri të ditur se ka takuar Rexhep Selimin, Jakup Krasniqin, Kadri Veselin, Hashim Thaçin, Nasim Haradinajn dhe Pjetër Shalën ndërsa ka biseduar shkurt edhe me Hysni Gucatin i cili siç tha ai është duke u përballur me probleme shëndetësore.
"Në takimet që kam realizuar me secilin, i kam njoftuar me zhvillimet në vend, në fokus zhvillimet në Ministrinë e Mbrojtjes përkatësisht Ushtrinë e Republikës së Kosovës, ngritjen e kapaciteteve tona profesionale dhe operacionale, bashkëpunimin me partnerët, rekrutimet, synimin për anëtarësim në Partneritetin për Paqe (PfP) dhe NATO të cilat janë në funksion të plotë të ruajtjes së paqes dhe mbrojtjes së gjithë territorit të Republikës sonë", theksoi Mehaj.
Ai tha se të gjithë të paraburgosurit ishin me moral të lartë e të fortë "ashtu siç ka qenë ushtria e popullit tonë, UÇK-ja".
"Ne besojmë pa asnjë hamendësim në pafajësinë e të gjithëve dhe në pastërtinë e luftës tonë çlirimtare. Gjithashtu, ndajmë bindjen e thellë që gjykimi i tyre është i padrejtë. Ne do te jemi gjithnjë krenar me luftën e UÇK-së, ka qenë UÇK-ja ajo që na ka bërë bashkë për të fituar lirinë tonë. Në këtë pikë do të mbetemi përherë bashkë dhe kjo do të mbetet e pandryshuar përgjithmonë", tha Mehaj duke uruar që të gjithë të lirohen sa më shpejtë.
Aktakuza ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së, Thaçit dhe të tjerëve, është konfirmuar më 26 tetor të vitit 2020 nga Gjykata Speciale në Hagë. Akuza ndaj tyre në kohë shtrihet midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit të vitit 1999 ndërsa akuzohen se kishin kryer krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit duke arrestuar dhe ndaluar persona civil në mënyrë të paligjshme, duke i trajtuar në mënyrë mizore, torturuar dhe zhdukur.