BALLKANI

Ministria e Kulturës e Kosovës dorëzon kallëzim penal ndaj pjesëmarrësve në rrënimin e monumentit “Saraji i Vjetër”

“Më e pakta që ne kërkojmë në këtë rast është rikthimi i asetit në gjendjen e mëparshme nga ata që e kanë shkaktuar dëmin”, tha ministri Çeku

Agim Sulaj  | 21.08.2024 - Përdıtësım : 21.08.2024
Ministria e Kulturës e Kosovës dorëzon kallëzim penal ndaj pjesëmarrësve në rrënimin e monumentit “Saraji i Vjetër” Foto: Erkin Keçi / AA

Prishtinë

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore të Prizrenit ndaj pjesëmarrësve në rrënimin e kompleksit monumental “Saraji i Vjetër” që ndodhet në Prizren, raporton Anadolu.

Në një konferencë për media, ministri Hajrulla Çeku bëri të ditur se kanë dorëzuar kallëzim penal ndaj kryetarit të Komunës së Prizrenit, drejtorit të Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor në Komunën e Prizrenit, bashkëpunëtores profesionale të kësaj komune, drejtoreshës së Departamentit Ligjor të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe pronarit privat si investitor për shkelje të rendit kushtetues, si të dyshuar për rrënimin e objektit në fjalë.

“Pronari privat dhe Komuna e Prizrenit nëpërmjet shkresave pretendojnë për mosdijeni rreth statusit të mbrojtjes ligjore të kompleksit. Kjo nuk qëndron, ngase ekzistojnë faktet dhe dëshmitë e qarta që pronari dhe institucionet komunale kanë qenë të njoftuara përmes shkresave zyrtare për regjistrimin në Listën e Trashëgimisë Kulturore në Mbrojtje”, theksoi ministri Çeku.

Ai tha se Kodi Penal i Kosovës, veprat e klasifikuara si dëmtimi, shkatërrimi dhe nxjerrja e paautorizuar e monumenteve ose objekteve të mbrojtura jashtë Republikës së Kosovës i dënon me deri në 10 vite burgim, ndërsa po ashtu me gjobë nga 1 mijë deri në 500 mijë euro.

“Më e pakta që ne kërkojmë në këtë rast është rikthimi i objektit në gjendjen e mëparshme nga ata që e kanë shkaktuar dëmin. Si dhe presim nga Prokuroria që të kualifikojë veprën penale dhe të ngrisë aktakuzën ndaj të dyshuarve, ndërsa gjykata e Kosovës të japë dënime meritore maksimale dhe në përputhje me dëmin e shkaktuar të interesit publik ashtu siç e parasheh Kodi Penal i Kosovës dhe jo të vazhdojnë me praktikën e dënimeve joserioze siç ka ndodhur në rastet e kaluara”, theksoi Çeku.

Kompleksi “Saraji i Vjetër” shquhet si aset me vlera historike ku ruhen gjurmë të objekteve nga shekulli 19 dhe 20, duke filluar nga ndërtesat e periudhës Osmane, për të vazhduar me ndërtesa të periudhës moderne.

Ky kompleks kishte hyrë në listën e mbrojtjes së përhershme si monument dy muaj para se të rrënohej, ndërsa cilësohet si një nga hapësirat me vlera historike dhe estetike. Ai u rrënua më datë 27 maj 2024 nga një pronar privat me qëllim të ndërtimit të një kompleksi banesor, ndërsa kjo u bë e mundur nga Komuna e Prizrenit të cilët dhanë leje të rrënimit të këtij kompleksi.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın