BALLKANI

Ministrja Haxhiu intervistohet nga Prokuroria për deklaratat e saj rreth arratisjes së të burgosurve në Kosovë

Haxhiu tha për shkak të deklarimit të saj rreth rastit të Faton Hajrizit ajo ka marrë edhe disa kërcënime

Agim Sulaj  | 23.07.2024 - Përdıtësım : 23.07.2024
Ministrja Haxhiu intervistohet nga Prokuroria për deklaratat e saj rreth arratisjes së të burgosurve në Kosovë Foto: Agim Sulaj/AA

Prishtinë

Ministrja e Drejtësisë e Kosovës, Albulena Haxhiu, është intervistuar nga Prokuroria Speciale lidhur me deklarimin e saj se të arratisurit e burgjeve në Kosovë po “cyten, organizohen dhe lehtësohen nga grupe kriminale të lidhura me struktura të pushtetit në territorin e Serbisë”, raporton Anadolu.

Pas ditës së dytë të intervistimit nga Prokuroria, ministrja Haxhiu tha se këtë deklarim në rrjetet sociale e ka bërë pas takimeve të shumta të saj, veçanërisht pas largimit të Faton Hajrizit nga burgu i Smrekonicës.

“Pas këtij rasti, ne kemi mbledhur të gjitha institucionet së bashku me ministrin (e Punëve të Brendshme) Sveçla dhe në këto takime kanë qenë pjesëmarrës edhe policia edhe institucione tjera të inteligjencës dhe ai reagim vjen sigurisht pas diskutimeve që ne kemi pasur me organet përgjegjëse”, theksoi Haxhiu.

Haxhiu tha për shkak të deklarimit të saj rreth rastit të Faton Hajrizit ajo ka marrë edhe disa kërcënime.

Ministrja e konsideroi shqetësuese faktin që dikush si Faton Hajrizi të quhet hero, për shkak të veprave të rënda që ai bartte mbi supe, me plagosjen e policëve të Kosovës dhe me dënimet për vepra të rënda kriminale që ka pasur ai.

“Pas reagimit dhe qasjes time që kam pasur, natyrisht që kam pranuar kërcënime nga individë të ndryshëm dhe kemi konsideruar se aplikimi i rrezikshmërisë do të bëhet së shpejti. Por për të shmangur çfarëdo situate, e kemi parë të arsyeshme që përkohësisht të kem mbrojtje”, theksoi Haxhiu.

Ajo tha se çështja e kthimit të trupit të pajetë të qytetarit të Kosovës, Faton Hajrizi, i përket Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Lidhur me rastin e Faton Hajrizit, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka bërë të ditur se është njoftuar më 22 korrik nga Drejtoria e Bashkëpunimit Ndërkombëtar Policor - ILECU se autoritetet serbe kanë dërguar shenjat e gishtërinjve të një personi dhe të njëjtat shenja, së bashku me shenjat e gishtërinjve të Faton Hajrizit, janë përcjellë në Agjencinë e Kosovës për Forenzikë, ku më pas ka rezultuar se këto gjurmë i përkasin Faton Hajrizit, i raportuar si i vrarë në Serbi.

Të paktën tre të burgosur u arratisën nga burgjet e Kosovës, në një periudhë të shkurtër kohore, por arratisja e Faton Hajrizit përfundoi me fatalitet.

Ish i burgosuri Faton Hajrizi, i arratisur disa herë nga burgjet në Kosovë, për të fundit herë u arratis nga një burg i tipit të hapur në Kosovë, më 6 korrik 2024. Vetëm pak ditë më vonë u bë i dyshuar për vrasjen e një polici në Loznicë të Serbisë dhe u vra nga autoritetet serbe deri sa ishte në arrati, më 19 korrik.

Trupi i pajetë i Faton Hajrizit ende nuk i është kthyer familjes së tij në Kosovë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.