Ministrja Kushi për mbylljen e kolegjit të lidhur me FETO-n: Vendimi për shkak të shkeljeve të legjislacionit
"Sqarojmë se ky vendim është rezultat i konstatimit nga Ministria e Arsimit dhe Sportit(MAS) të një sërë shkeljeve të legjislacionit në fuqi nga zotëruesit e licencës në fjalë", ka theksuar në reagimin e saj ministrja Kushi
Tiranë
Ministrja e Arsimit dhe Sportit e Shqipërisë, Evis Kushi, ka reaguar në lidhje me vendimin e Këshillit të Ministrave të Shqipërisë për mbylljen e veprimtarisë së institucionit arsimor privat parauniversitar kolegjit “Mehmet Akif Ersoy” në Tiranë, i njohur për afërsinë me organizatën terroriste FETO, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në reagimin e saj në rrjetet sociale, Kushi shkruan se "nisur nga interesimi dhe spekulimet në lidhje me shkaqet që çuan në heqjen e licencës dhe mbylljen e shkollës jopublike 'Mehmet Akif Ersoy', sqarojmë se ky vendim është rezultat i konstatimit nga Ministria e Arsimit dhe Sportit (MAS) të një sërë shkeljeve të legjislacionit në fuqi nga zotëruesit e licencës në fjalë".
Duke renditur shkeljet, Kushi shkruan se, "Kanë filluar procesin mësimor 2022-2023 në një vendndodhje dhe mjedise të tjera, të pa miratuara nga MAS, pra pa certifikimin ligjor përkatës të standardeve të godinës, nuk i kanë plotësuar më tej kriteret ligjore edhe pse nga ana MAS është kryer dy herë verifikimi i tyre. Në kushtet e ushtrimit të veprimtarisë jashtë kritereve përkatëse licenca duhet të revokohet."
Ajo ka theksuar se Ministria e Arsimit dhe Sportit në çdo rast ka përgjegjësinë për garantimin e standardeve, sigurisë dhe mirëqenies së nxënësve.
"Prandaj, në respekt të ligjit dhe në mbështetje të 160 nxënësve dhe të familjeve të tyre, (MAS) do të marrë të gjitha masat e nevojshme për të transferuar nxënësit në shkolla që përmbushin kriteret dhe standardet e funksionimit”, shkruan Kushi.
Kushi thekson më tej se Ministria e Arsimit dhe Sportit nënvizon se revokimi i licencës në fjalë nuk ka asnjë lidhje me spekulimet e ndryshme rreth shkaqeve të këtij vendimi.
Këshilli i Ministrave i Shqipërisë vendosi më 22 shtator mbylljen e veprimtarisë së institucionit arsimor privat parauniversitar kolegjit “Mehmet Akif Ersoy”, që është pjesë e Fondacionit Gülistan, i njohur për afërsinë me organizatën terroriste FETO.
Gjithashtu autoritetet në Shqipëri disa ditë më parë kanë vendosur për mbylljen e veprimtarisë edhe të institucionit arsimor privat, kopshtit “Zubeyde Hanim”, në Tiranë, që është pjesë e shoqërisë “Turgut Ozal Education”, e lidhur me organizatën terroriste FETO, për shkak të konstatimit të shkeljeve të rënda të legjislacionit në fuqi, që përbëjnë mosplotësim të kushteve të licencimit.