BALLKANI

Në Shqipëri shënohet Dita e Alfabetit, vazhdon Kuvendi Kombëtar për Gjuhën Shqipe

Gjatë punimeve të forumit të organizuar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit e Shqipërisë është prezantuar "Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe", vepër e realizuar nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë

Fatjon Cuka  | 22.11.2024 - Përdıtësım : 22.11.2024
Në Shqipëri shënohet Dita e Alfabetit, vazhdon Kuvendi Kombëtar për Gjuhën Shqipe Foto: Arkiv / AA

Albania

Në Shqipëri vazhdon punimet dita e dytë e Kuvendit Kombëtar për Gjuhën Shqipe me temë "Sfidat e Gjuhës Shqipe në shekullin XXI", organizuar në kuadër të Ditës së Alfabetit, raporton Anadolu.

Gjatë punimeve të forumit të organizuar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit e Shqipërisë është prezantuar "Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe", vepër e realizuar nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë.

Sipas organizatorëve të forumit, ky projekt përfaqëson një monument gjuhësor, shkencor dhe kulturor, me mbi 120 mijë fjalë që dëshmojnë pasurinë e gjuhës shqipe.

Gjatë prezantimit, ministrja e Arsimit dhe Sportit e Shqipërisë, Ogerta Manastirliu, vuri theksin te simbolika e prezantimit në Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe.

"Në datën 22 nëntor, ne kujtojmë një nga momentet më domethënëse të historisë sonë kombëtare, Kongresin e Manastirit. Sot, 116 vite më pas, përmes këtij fjalori, ne vijojmë të përmbushim atë mision të rilindësve për ruajtjen e identitetit dhe forcimin e gjuhës sonë amtare. Ky fjalor është më shumë se një thesar fjalësh. Është një dëshmi e kulturës sonë shprehimore dhe e rrugëtimit të gjuhës shqipe. Me rreth 120 mijë fjalë, ky fjalor përfaqëson një arkiv të gjallë të trashëgimisë sonë gjuhësore dhe një mjet të fuqishëm për studiuesit, nxënësit dhe çdo përdorues të gjuhës shqipe", tha Ministrja Manastirliu.

Manastirliu ka theksuar se ky fjalor është dëshmi e gjallë se "gjuha shqipe mbetet kumbona që bashkon identitetin, historinë dhe shpirtin tonë kombëtar".

"Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe", përgatitur nga gjuhëtarët e Shqipërisë, Kosovës e Maqedonisë së Veriut, është një projekti i udhëhequr nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë me mbështetjen financiare të Qeverisë së Shqipërisë.

Fjalori do të hidhet në një konsultim të gjerë publik, me qëllim marrjen e opinioneve dhe sugjerimeve për pasurimin e tij.

Kuvendi Kombëtar për Gjuhën Shqipe që filloi dje është konceptuar si një forum diskutimi për sfidat dhe mundësitë e gjuhës shqipe në epokën moderne, duke mbledhur zyrtarë, studiues, pedagogë dhe studentë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut.


- Dita e Alfabetit

Në Shqipëri sot shënohet Dita e Alfabetit, duke u shënuar për herë të parë si festë zyrtare, ndërkohë zyrtarë të lartë dhe politikanë kanë përcjellë mesazhet e tyre të urimit.

Mesazhe urimi kanë përcjellë presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, kryeministri Edi Rama, ministra të kabinetit qeveritar dhe zyrtarë të tjerë.

Kongresi i Manastirit shënon takimin e dhjetëra studiuesve shqiptarë, i mbajtur nga 14 deri më 22 nëntor të vitit 1908 në Manastir, me qëllim krijimin e alfabetit shqip. Në këtë Kongres, delegatët morën vendimin për të pranuar alfabetin latin, me disa ndryshime të caktuara. 22 Nëntori mbetet një ditë përkujtimi për popullin shqiptar, e njohur si Dita e Alfabetit.

Kuvendi i Shqipërisë miratoi në shkurt të këtij viti shpalljen si festë zyrtare të Ditës së Alfabetit, që shënohet më 22 nëntor.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.