Ndërron jetë aktori shqiptar Mirush Kabashi
Kabashi ka ndërruar jetë në Tiranë pasi mësohet se vuante nga një sëmundje e rëndë

Tiranë
Aktori shqiptar Mirush Kabashi ka ndërruar jetë në moshën 75-vjeçare, transmeton Anadolu.
Kabashi ka ndërruar jetë në Tiranë pasi mësohet se vuante nga një sëmundje e rëndë.
Në lidhjen me ndarjen nga jeta të aktorit Kabashi kanë reaguar dhe shprehur ngushëllimet e tyre zyrtarë dhe personalitete të ndryshe.
"Lamtumirë Artistit që mbajti gjallë brenda nesh dashurinë për artin dhe ngriti peshë sallat kudo performoi. Lamtumirë ‘Nder i Kombit’, Mirush Kabashi", ka shkruar në rrjetet sociale Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj.
Për ndarjen nga jeta të aktorit Kabashi ka përcjellë mesazhin e saj edhe kryeparlamentarja Nikolla, ka njoftuar zyra e shtypit e Kuvendit të Shqipërisë.
"Artisti i Merituar Mirush Kabashi u nda sot nga jeta. Por shqiptarët do ta kujtojnë për veprën dhe trashëgiminë e tij. Mirushi ishte një artist i madh. Me krijimtarinë e tij u dha jete veprave të mëdha artistike, nga vendi dhe arti botëror. Me talentin e tij, me mbi njëqind personazhet që krijoi në skenë dhe në ekran, Mirush Kabashi na bëri të mendojmë, të reflektojmë, shpesh edhe të qeshim, për problemet e mëdha të shoqërisë. U prehsh në paqe, Mjeshtri ynë i madh dhe i paharruar", thuhet në mesazhin e kryeparlamentares Nikolla.
Edhe Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale mesazhin e tij "Lamtumirë Mirush".
Aktori Kabashi ka lindur në vitin 1948 në Shkodër, ndërkohë origjina e tij ishte nga Gjakova. Kabashi ka qenë aktor i dhjetëra roleve në teatër dhe filma.
Mirush Kabashi është vlerësuar në Shqipëri me titujt "Nderi i Kombit", "Artist i Merituar" dhe "Mjeshtër i Madh i Punës", si dhe ka marrë edhe disa çmime.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.