Kulturë, BALLKANI

Nxënësit e shkollave Maarif diskutojnë ndikimet e gjuhës turke në Ballkan

Në Festën e Gjuhës Turke, Fondacioni Turk Maarif dhe Përfaqësia në Shqipëri e Fondacionit Turk Maarif dhe Universiteti New York Tiranë, organizuan aktivitetin “Festa e gjuhës turke – Ndikimet e turqishtes në Ballkan”

Muhammet Tarhan  | 26.09.2024 - Përdıtësım : 27.09.2024
Nxënësit e shkollave Maarif diskutojnë ndikimet e gjuhës turke në Ballkan Foto: Fondacioni Turk Maarif

Istanbul

Ndikimet sociale, kulturore dhe letrare të gjuhës turke në Ballkan u diskutuan në një aktivitet onlajn të organizuar nga Fondacioni Turk Maarif (TMV) në kuadër të Festës së Gjuhës Turke, me pjesëmarrjen e nxënësve të shkollave në vendet ballkanike, transmeton Anadolu.

Në Festën e Gjuhës Turke, e cila shënohet çdo vit më 26 shtator, Fondacioni Turk Maarif, Përfaqësia në Shqipëri e Fondacionit Turk Maarif dhe Universiteti New York Tiranë, organizuan aktivitetin “Festa e gjuhës turke – Ndikimet e turqishtes në Ballkan”.

Kryetari i TMV-së, Birol Akgün, i cili mbajti fjalën e hapjes së aktivitetit, deklaroi se turqishtja ka një ndikim të madh në kulturën ballkanike. “Akumulimi kulturor që vjen nga një histori e përbashkët dhe të jetuarit së bashku ndër shekuj vazhdon ende sot në rrugicat, rrugët dhe qytetet e vendeve ballkanike”, tha ai.

Akgün deklaroi se Fondacioni Turk Maarif po bën përpjekje intensive për të mësuar gjuhën turke në shkollat ​​e Ballkanit. “Ekzistenca jonë, si Fondacioni Turk Maarif, do të thotë të ushqejmë këto lidhje të thella kulturore që vijnë nga historia në Ballkan dhe të përmbushim funksionin e një ure kulturore”, shtoi ai.

Rektori i Universitetit New York të Tiranës (UNYT), Prof. Dr. Ali Güneş, vuri në dukje se gjuha nuk është vetëm një mjet komunikimi, por edhe një element i rëndësishëm në transferimin e trashëgimisë kulturore.

“Turqishtja ishte një nga elementët më të rëndësishëm që mishëroi trashëgiminë e Perandorisë Osmane dhe siguroi transferimin e saj nga brezi në brez”, tha ai.

Duke theksuar se aktivitetet e TMV-së në Ballkan forcojnë ndërveprimet rajonale duke prezantuar gjuhën dhe kulturën turke, Güneş tha: “Sot, turqishtja shërben si urë për shkëmbimin kulturor dhe bashkëpunimin ekonomik në rajonet me një popullsi të dendur turqishtfolëse, siç është Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria”.

Përfaqësuesi i Fondacionit Turk Maarif në Shqipëri, Mesut Özbaysar, deklaroi se turqishtja bazohet në histori mijëravjeçare. “Si shkolla Maarif në Shqipëri, ne do të vazhdojmë të punojmë për të ruajtur ekzistencën e turqishtes dhe elementet kulturore të komuniteteve turke në gjeografinë ku gjendemi, si dhe për t’ia transferuar atë brezave të ardhshëm. Kjo trashëgimi është një thesar shumë i vlefshëm për ne dhe është përgjegjësi e të gjithë ne që ta ruajmë atë”, theksoi Özbaysar.


- “Gjuha turke po përjeton një ringjallje”

Ish-deputeti i AK Partisë, Prof. Dr. Mustafa İsen, bëri një prezantim të titulluar “Festa e gjuhës turke dhe gjeografia e turqishtes”, ku tërhoqi vëmendjen për praninë kulturore turke në gjeografinë ballkanike gjatë dhe pas periudhës osmane.

Duke theksuar se ka shumë fjalë që kanë ardhur nga turqishtja në gjuhët ballkanike, İsen tha: “Pothuajse të gjitha fjalët që lidhen me qytetërimin janë fjalë të ardhura nga turqishtja. Gjërat shtëpiake, emrat e ushqimeve dhe shumica e fjalëve që shprehin jetën e përditshme të qytetit kanë ardhur nga turqishtja”.

Pas fjalimeve, nxënësit e shkollave në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut, Kosovë, Rumani dhe Hungari dhanë shembuj të fjalëve, fjalëve të urta dhe idiomave turke që përdorin në jetën e tyre të përditshme dhe lexuan pjesë nga poezi të shkruara turqisht nga poetë në vendet e tyre.

Pas prezantimeve të nxënësve u mbajtën prezantime akademike me titull “Studimet turke në Ballkan dhe ndikimet e turqishtes" dhe "Ndikimi i turqishtes në Ballkan".

Aktiviteti u mbyll me seancën përmbyllëse dhe vlerësime.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.