BALLKANI

Në Prizren mbahet pritje me rastin e 23 Prillit, Ditës Kombëtare të Turqve në Kosovë

Kurti tha se 23 Prilli vlerëson dhe shënon kontributin e jashtëzakonshëm të komunitetit turk që ka dhënë shumë për zhvillimin demokratik, kulturor dhe institucional të Kosovës

Agim Sulaj  | 23.04.2025 - Përdıtësım : 23.04.2025
Në Prizren mbahet pritje me rastin e 23 Prillit, Ditës Kombëtare të Turqve në Kosovë Foto: Eren Beksaç / AA

Prizren

Dita Kombëtare e Turqve të Kosovës, 23 Prilli, është festuar me një pritje të mbajtur në qytetin e Prizrenit, raporton Anadolu.

Në pritjen e organizuar nga kryetari i Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KDTP), njëherësh ministër në detyrë i Zhvillimit Rajonal të Kosovës, Fikrim Damka, morën pjesë kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, drejtori i përgjithshëm për Ballkanin dhe Evropën Qendrore i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Yağmur Ahmet Güldere, ambasadori i Türkiyes në Prishtinë, Sabri Tunç Angılı, si dhe përfaqësues të organizatave turke, deputetë, kryetarë komunash dhe qytetarë të shumtë.

Duke folur në këtë ceremoni, Kurti tha se me identitetin e pasur, personalitetet e shquara dhe veprimtarinë kulturore që jehonë përtej kufijve të Kosovës, në Türkiye dhe më gjerë, komuniteti turk mbetet vlerë e çmuar dhe e pazëvendësueshme për shtetin dhe shoqërinë kosovare.

Kurti tha se 23 Prilli vlerëson dhe shënon kontributin e jashtëzakonshëm të komunitetit turk që ka dhënë shumë për zhvillimin demokratik, kulturor dhe institucional të Kosovës.

“Mbi të gjitha, bashkëjetesa ndërmjet shqiptarëve dhe turqve është shembull frymëzues i miqësisë së qëndrueshme, mirëkuptimit të ndërsjellë dhe respektit të thellë që i ka rezistuar kohës”, theksoi Kurti.

Ai gjithashtu shprehu mirënjohje edhe për Republikën e Türkiyes, e cila tha se është “një aleate e fuqishme dhe mbështetëse e palëkundur e Republikës së Kosovës".

Güldere, nga ana e tij, filloi fjalën e tij duke përcjellë përshëndetjet e presidentit Recep Tayyip Erdoğan dhe ministrit të Punëve të Jashtme, Hakan Fidan. Ai tha se Kosova ka një vend të veçantë në zemrat e kombit turk.

“Marrëdhëniet tona, të cilat e marrin fuqinë e tyre nga lidhjet vëllazërore që kemi me shoqërinë kosovare, vazhdojnë të zhvillohen me shpejtësi në çdo fushë. Stabiliteti i Kosovës, e cila ndodhet në zemër të Ballkanit, është gjithashtu një garanci e paqes së përhershme në Ballkan. Të vetëdijshëm për këtë, ne do të vazhdojmë ta mbështesim Kosovën vëllazërore në çdo fushë, siç kemi bërë në të kaluarën, sot dhe në të ardhmen”, theksoi ai.

Ndërkaq, ministrja Damka po ashtu tha se 23 prilli është shprehje e mbajtjes gjallë të gjuhës turke në Kosovë dhe mbrojtjes së kulturës dhe identitetit.

“Si komunitet turk, jemi krenarë që jemi pjesë konstruktive dhe integrale e mozaikut multikulturor të Kosovës me ekzistencën tonë të lashtë në këto troje, me historinë tonë të thellë dhe me marrëdhëniet tona të ndërthurura me popujt e tjerë”, tha Damka.

Pas fjalimeve, pritja vazhdoi me një koncert të bendit të Ministrisë së Mbrojtjes Kombëtare “Mehter”. Pritja u mbyll me një shfaqje folklorike dhe recital muzikor nga artistët e Shoqatës Turke të Kulturës dhe Arteve.

Në anën tjetër, me rastin e 23 Prillit u hap edhe një ekspozitë artizanale nga Shoqata e Grave Orkide në Institutin “Yunus Emre” në Prizren. Ekspozitën e vizitoi edhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Kurti.

Që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt të vitit 2008, në mbarë vendin organizohen ngjarje të ndryshme kulturore dhe artistike për të festuar “Ditën Kombëtare të Turqve” në Kosovë, e cila festohet çdo vit më 23 Prill.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın