Fatjon Cuka
02 mars 2022•Përditësim: 03 mars 2022
Duke filluar nga data 3 mars në Shqipëri do të hiqet ora policore që ishte në fuqi nga ora 23:00 - 06:00, ndërkohë disa masa të tjera do të mbeten në fuqi kundër pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19), transmeton Anadolu Agency (AA)
Vendimi për heqjen e orës policore është bërë i ditur nga Komiteti Teknik i Ekspertëve i mbledhur gjatë ditë së sotme, nisur nga përmirësimi i situatës epidemiologjike në vend, sipas njoftimit nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale
Drejtuesja e Komitetit Teknik të Ekspertëve, Mira Rakacolli, ka deklaruar se ndryshimi i masave do të shkojë në një përputhje me situatën epidemiologjike.
"Tashmë është e qartë që përmirësimi i kësaj situate epidemiologjike vjen në radhë të parë nga procesi i vaksinimit. Në mënyrë që kjo situatë të vazhdojë të mbetet e tillë, në mënyrë që të ndalojmë qarkullimin e virusit, duhet të vazhdojmë me shumë intensitet procesin e vaksinimit, të vazhdojmë të rendim drejt qendrave të vaksinimit, të fillojmë që në moshën 12-vjeç", ka theksuar Rakacolli.
Duke folur për situatën epidemiologjike në vend, drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik të Shqipërisë (ISHP), Eugena Tomini, tha se gjatë ditëve të fundit është shënuar përmirësim i të gjithë indikatorëve.
Masat në fuqi
Në Shqipëri vazhdojnë ende të mbeten në fuqi disa masa kundër përhapjes së COVID-19. Për të gjithë qytetarët që do të hyjnë në Shqipëri vazhdon të mbetet në fuqi paraqitja e pasaportës së vaksinimit ose e testit PCR të bërë 72 orë përpara mbërritjes në kufijtë e Shqipërisë.
Vazhdon të mbetet në fuqi rekomandimi për mbajtjen e maskës në të gjitha ambientet e mbyllura dhe aty ku nuk mundet që të respektohet distanca.
Gjithashtu mbetet në fuqi masa për grumbullimet nëpër aktivitete kulturore, sportive, nëpër konferenca në masën deri në 30 për qind të kapacitetit të strukturave ku ato zhvillohen.
Gjatë ditëve të fundit në Shqipëri është shënuar një ulje në numrin e rasteve të reja me koronavirusi. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka konfirmuar se që nga fillimi i pandemisë në Shqipëri janë regjistruar gjithsej 271.702 raste pozitive me COVID-19, mes tyre 3.472 persona kanë ndërruar jetë, 266.019 janë shëruar dhe raste aktive janë 2.211.