Fatjon Cuka
24 Maj 2022•Përditësim: 25 Maj 2022
Nën tingujt e Bandës Frymore të Qytetit të Tiranës dhe me pjesëmarrjen e sportdashësve në Tiranë është prezantuar trofeu i finales së UEFA Ligës së Konferencës, raporton Anadolu Agency(AA).
Në ceremoninë e organizuar në Sheshin "Skënderbej" në Tiranë ishin të pranishëm drejtues të Bashkisë së Tiranës, të Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), zyrtarë të tjerë dhe sportdashës të shumtë.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, u shpreh gjatë ceremonisë se vazhdojnë përgatitjet për pritjen e tifozëve të të dy ekipeve.
"Do të vazhdojmë me aktivitetet që kushdo që ka ardhur në Tiranë të kënaqet dhe të kalojë mirë. Sigurisht emocionet janë të forta, por në finale duam që qyteti të ruhet, qetësi të ruhet, paqja dhe vëllazëria që kultivon futboll të ruhet nga të gjithë tifozeritë", u shpreh Veliaj.
Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, tha se është një ditë e veçantë për Tiranën. "Sot është një ditë e veçantë, ditë e bukur për ne që prezantojmë për herë të parë trofeun e parë të Ligës së Konferencës. Është një ditë e bukur për ata që kanë vizituar Shqipërinë, të huajt", tha Duka.
Ish-kapiteni i Kombëtares Shqiptare të Futbollit, njëkohësisht ambasadori i finales, Lorik Cana e quajti Tiranën si kryeqyteti i futbollit në Evropë gjatë ditës së sotme dhe të nesërme. "Për herë të parë, në edicionin e parë, kemi kënaqësinë, krenarinë të mirëpresim dhe prezantojmë trofeun e Ligës së Konferencës", u shpreh Cana.
Ndeshja finale mes ekipeve Roma - Feyenoord e UEFA Ligës së Konferencës do të luhet më 25 maj në Stadiumin "Air Albania" në Tiranë.