Fatjon Cuka
29 Mars 2023•Përditësim: 29 Mars 2023
Policia e Shqipërisë ka realizuar një operacion antidrogë në Malësi të Madhe, në Qarkun Shkodër, ku janë zbuluar rreth 8.000 bimë narkotike, të dyshuara të llojit kanabis sativa, transmeton Anadolu.
Në një njoftim nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shqipërisë thuhet se në kuadër të operacionit të koduar "Krateri" është arrestuar një 52-vjeçar, i dyshuar sipas policisë "si organizatori i kësaj veprimtarie kriminale" dhe janë proceduar penalisht për shpërdorim detyre, 3 punonjës të Bashkisë Malësi e Madhe.
"Si rezultat i këtij megaoperacioni, 20 metra në thellësi të një krateri, janë evidentuar 27 serra, brenda të cilave janë gjetur të kultivuar në kubikë, rreth 8.000 fidanë të dyshuar narkotikë kanabis sativa, në proces për t’u kultivuar në tokë. Grupi hetimor, gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, ka sekuestruar prova të vlefshme që do t’i shërbejnë hetimit, me qëllim zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të kësaj veprimtarie kriminale", thuhet në njoftim.
Sipas policisë, vijon puna për asgjësimin fidanëve dhe asgjësimin e bazës materiale që ka shërbyer për kultivimin e bimëve narkotike në kubikë.
Më tej theksohet se i arrestuari akuzohet për veprat penale "Kultivimi i bimëve narkotike", "Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive" dhe "Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta", ndërsa personat që procedohen penalisht për veprën penale "Shpërdorimi i detyrës".