BALLKANI

Operacioni i Forcave Aleate, fushata e NATO-s që hapi faqe të re në Kosovë

Më 24 mars në orën 20:00 NATO nisi "Operacionin e Forcave Aleate" që do të zgjaste deri më 10 qershor. Operacioni po ashtu u mbështet edhe nga Forcat e Armatosura Turke (TSK) me 10 avionë të tipit F-16

Dzihat Aliju  | 24.03.2020 - Përdıtësım : 25.03.2020
Operacioni i Forcave Aleate, fushata e NATO-s që hapi faqe të re në Kosovë

DZIHAT ALIJU

Njëzet e një vjet më parë, NATO nisi "Operacionin e Forcave Aleate" (Operation Allied Force) ndaj Jugosllavisë për t’i dhënë fund presionit dhe masakrave ndaj civilëve në Kosovë, me synimin "serbët jashtë, ndërmjetësuesit brenda, refugjatët të kthehen", duke hapur një faqe të re për Kosovën.

Gjatë operacionit, i cili nisi për shkak të presionit dhe masakrave, si dhe mospranimit të palës serbe që Kombet e Bashkuara (OKB) të vendosnin trupat ndërkombëtare në Kosovë, sipas organizatës Human Rights Watch, kanë humbur jetën 489 deri në 528 civilë, ndërsa Jugosllavia pretendoi se sulmet e NATO-s shkaktuan nga 1.200 deri në 5.700 civilë të vrarë. 

Si rezultat i rritjes së përleshjeve mes palëve, më 23 shtator të vitit 1998, Këshilli i Sigurimit i OKB-së pranoi Rezolutën 1199, ku nga palët shqiptare dhe jugosllave në Kosovë kërkohej armëpushim.

Pas masakrimit të më shumë se 20 personave të një familjeje nga fshati Abri e Epërme në pjesën qendrore të Kosovës, u themelua Misioni i Verfikimit i OSBE-së në Kosovë (KVM). Armëpushimi i arritur më parë u thye në muajin dhjetor, kur Zvonko Bojaniç, kryebashkiaku serb i Fushë Kosovës, u gjet i vdekur në afërsi të Prishtinës.

Përpjekjet për të gjetur zgjidhje në Konferencën e Rambujesë

Më 15 janar të vitit 1999 ndodhi Masakra e Reçakut, ku 45 fermerë shqiptarë u masakruan. Edhe pse trupat u zbuluan nga monitoruesit e OSBE-së, Jugosllavia e mohoi masakrën dhe pretendoi se të vrarët janë pjesëtarë të UÇK-së.

Përpjekjet për të gjetur një zgjidhje për krizën në Kosovë filluan më 6 shkurt në Konferencën e Rambujesë, e cila u mbajt në afërsi të Parisit në Francë.

Iniciues i konferencës, që zgjati deri më 23 shkurt, ishte Grupi i Kontaktit, i cili përbëhej nga SHBA-të, Britania, Gjermania, Italia, Franca dhe Rusia. Delegacioni kosovar, së bashku me atë amerikan dhe britanik, firmosën atë që u bë e njohur si Marrëveshja e Rambujesë, ndërkohë që delegacionet jugosllave dhe ruse nuk e pranuan atë.

Marrëveshja përmbante pika si administrimi i Kosovës nga NATO si një provincë autonome brenda Jugosllavisë, si dhe një forcë prej 30.000 trupash të NATO-s për mbajtjen e rendit në Kosovë. Në veçanti, pala serbe nuk e pranonte idenë e pranisë së trupave të NATO-s në Kosovë në zëvendësim të forcës së tyre të sigurisë, duke preferuar më mirë vëzhgues të paarmatosur të OKB-së.

Bombardimi i Jugosllavisë nga NATO

Pasi që as tentimet e fundit për bindjen e Jugosllavisë nuk ishin të suksesshme, më 24 mars në orën 20:00 NATO nisi "Operacionin e Forcave Aleate" që do të zgjaste deri më 10 qershor. Me përjashtim të Greqisë, të gjithë anëtarët e NATO-s kishin mbështetur operacionin. Operacioni po ashtu u mbështet edhe nga Forcat e Armatosura Turke (TSK) me dhjetë avionë të tipit F-16.

Gjatë bombardimeve të NATO-s ndodhën edhe disa incidente, ku u goditën zyrat e misioneve të huaja dhe ku humbën jetën edhe civilë, bombardime të cilat NATO i vlerësoi si "gabimisht".

Në fillim të majit, një avion i NATO-s sulmoi një karvan refugjatësh shqiptarë, "duke menduar se ishte një karvan ushtarak jugosllav", ku u vranë rreth 50 civilë. Përsëri në maj, disa bombardime të NATO-s goditën ambasadën kineze në Beograd, duke vrarë tre gazetarë kinezë dhe duke tërbuar opinionin publik kinez.

Një tjetër incident ndodhi mes datave 19 dhe 23 maj, ku u bombardua burgu i Dubravës. Rreth 19 të burgosur dhe gardianë u vranë nga bombardimi, por një numër i pasaktë, rreth apo më shumë se 70 shqiptarë pretendohet se janë vrarë nga forcat qeveritare serbe në ditët pas bombardimit.

Si rezultat i operacionit ushtarak të NATO-s, që zgjati rreth tre muaj, Serbia u pajtua për tërheqjen e forcave ushtarake dhe policore nga Kosova.

Marrëveshja Teknike-Ushtarake e Kumanovës

Më 9 qershor të vitit 1999 në qytetin e Kumanovës në veri të Maqedonisë së Veriut u arrit marrëveshja e cila njihet si Marrëveshja Teknike-Ushtarake e Kumanovës dhe e cila i dha fund luftës në Kosovë. Një ditë më pas, më 10 qershor, NATO pezulloi operacionet.

Në të njëjtën ditë, Këshilli i Sigurimit të OKB-së miratoi Rezolutën 1244, e cila përcaktoi statusin politik të Kosovës si protektorat i OKB-së, dhe ia dha administrimin e Kosovës Misionit të Administratës së Përkohshme të OKB-së në Kosovë (UNMIK). Më 12 qershor, pasi presidenti i asaj kohe i Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviç, pranoi kushtet, në Kosovë filloi të hyjë forca paqeruajtëse shumëkombëshe NATO Kosovo Force (KFOR), ku edhe Turqia dha mbështetje të personelit ushtarak.

Gjatë viteve 1998-1999 të luftës në Kosovë janë vrarë më shumë se dhjetë mijë kosovarë, prej të cilëve mbi tetë mijë shqiptarë, ndërsa afro një milion persona, rreth 800 mijë prej të cilëve shqiptarë, u detyruan t’i braktisin shtëpitë e tyre në Kosovë. Kosova më 17 shkurt të vitit 2008 shpalli pavarësinë e saj.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın