Opozita organizon në Shqipëri protestë me "mosbindje civile", shënohen tensione
Me sloganin "O sot o kurrë", protesta, sipas organizatorëve, mbahet për të kërkuar qeveri teknike dhe për të kundërshtuar, sipas tyre, "pasurimin e zyrtarëve përmes veprimeve të paligjshme dhe korrupsionit"
Tiranë
Në Shqipëri është mbajtur protestë antiqeveritare në formën e "mosbindjes civile", me thirrjen e partisë më të madhe të opozitës dhe me mbështetjen e partive të tjera opozitare, ndërkohë që u shënuan edhe tensione, raporton Anadolu.
Me sloganin "O sot o kurrë", protesta, sipas organizatorëve, mbahet për të kërkuar qeveri teknike dhe për të kundërshtuar, sipas tyre, "pasurimin e zyrtarëve përmes veprimeve të paligjshme dhe korrupsionit".
Gjatë protestës të organizuar në Tiranë nga Partia Demokratike (PD) u shënuan edhe përplasje me forcat e policisë dhe u bllokuan disa akse rrugore.
Gjatë tensioneve përpara selisë së Bashkisë së Tiranës dhe në zona të tjera të Tiranës, policia përdori gaz lotsjellës, ujë dhe spraj djegës për të larguar protestuesit, ndërkohë që disa protestues kanë mbetur të lënduar.
Bashkë me protestuesit me forcat e policisë u përplasën edhe disa deputetë të opozitës.
Në muajt e fundit partitë opozitare kanë organizuar disa protesta kundër rasteve të korrupsionit, si dhe për të kundërshtuar masën “arrest në shtëpi” për ish-kryeministrin Sali Berisha, arrestimin e ish-presidentit Ilir Meta dhe dënimin e ish-deputetit Ervin Salianji.
Që prej dhjetorit 2023, ndaj Berishës është në fuqi masa “arrest në shtëpi”, i dyshuar sipas autoriteteve shqiptare për korrupsion, ndërsa Salianji është dënuar me 1 vit burg për veprën penale “kallëzim i rremë”.
Ndërkohë, ish-presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, është arrestuar më 21 tetor 2024, i dyshuar për kryerjen e disa veprave penale.
Gjithashtu, partitë opozitare kërkojnë krijimin e një qeverie teknike, sipas tyre, për të përgatitur zgjedhjet e ardhshme parlamentare që pritet të mbahen në vitin 2025.
Sipas organizatorëve të protestave, “ka ardhur koha për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe të jetë vullneti i shqiptarëve që të vendosë se kujt i takon drejtimi i vendit”.
Organizatorët e protestës së sotme kanë paralajmëruar vijimin e protestave.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.