Agim Sulaj
16 Dhjetor 2019•Përditësim: 17 Dhjetor 2019
Drejtoria e Policimit në Bashkësi dhe Preventivë dhe Komiteti Lokal për Siguri Publike (KLSP) nga Komuna e Vushtrrisë kanë mbajtur takimin e nëntëmbëdhjetë të Këshillit Ekzekutiv të Komiteteve Lokale për Siguri Publike (KLSP), raporton Anadolu Agency (AA).
Në këtë takim kanë marrë pjesë zyrtarë nga Policia e Kosovës, anëtarët e KLSP-së, përfaqësues të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, përfaqësues nga Ministria për Komunitete dhe Kthim, përfaqësues të Misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), e pjesëtarë të shoqërisë civile.
Ministrja në detyrë e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, Adriana Hoxhiç, konsideron se krijimi i mekanizmave të tillë si KLSP përfshinë mekanizma gjithëpërfshirës që ju mundësojnë strukturave të sigurisë, kryetarëve të komunave dhe përfaqësuesve tjerë të ndajnë informatat e dobishme dhe të veprojnë në mënyrë për të parandaluar krimin dhe për të ofruar siguri.
Hoxhiç tha se këto komitete ndërtojnë ura besimi midis qytetarëve dhe Policisë dhe kanë qëllime për ngritjen e vetëdijes qytetare lidhur me kriminalitetin, parregullsitë dhe sjelljet e tyre në komunitet.

“Bashkëpunimi intensiv dhe i vazhdueshëm dhe harmonizimi i të gjithë pjesëmarrësve do të përmirësojë luftën kundër fenomeneve negative në shoqërinë tonë. Ato do të bëjnë të mundur që masat e sigurisë të shtohen sa më shumë të jetë e mundur, duke u koordinuar dhe organizuar bashkërisht. Në këtë kuptim, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal monitoron themelimin e këtyre Komiteteve nëpër komuna dhe harton raporte mbi funksionimin e tyre", tha ajo.
Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Jan Braathu tha se sot janë 71 KLSP që janë krijuar nga Policia në mbarë Kosovën, me mbështetjen e Misionit të OSBE-së në Kosovë.
Ai tha gjithashtu se 590 anëtarë të 66 komiteteve tashmë janë trajnuar përmes programit dhe ndërtimit të kapaciteteve i ofruar nga ky mision në Kosovë.
“Përkundër faktit që është shumica e KLSP-ve funksionojnë në nivel të kënaqshëm dhe duke i parë edhe arritjet e tyre në të kaluarën dhe përpjekjet tona të përbashkëta për t’i fuqizuar në mënyrë që të identifikojnë dhe zgjidhin problemet e komuniteteve, ende kanë mbetur sfida. Këto sfida kanë të bëjnë me parimin e pjesëmarrjes vullnetare pa kompensim financiar, mungesën e financimit të projekteve dhe pjesëmarrjes të pabalancuar të grave në këto komitete”, tha Braathu.

Zëvendësdrejtori i përgjithshëm për operativë në Policinë e Kosovës, Samedin Mehmeti, tha se Policia është e përkushtuar të ofrojë rend dhe ligj por është e pamundur një gjë e tillë pa bashkëpunimin e qytetarëve.
Ai tha se Kosova ka probleme të mëdha ndërsa “në trafik ka numër të madh të aksidenteve, por shtrimi i një trotuari ose ndërtimi i një rrugice apo vendosja e një shenje të komunikacionit shpëton një jetë”.
Komitetet Lokale për Siguri Publike janë trupa konsultativë për policinë në identifikimin, adresimin dhe në partneritet me policinë bëjnë zgjidhjen e problemeve lokale në bashkësi.
Diversiteti kulturor, fetar, etnik profesional në përbërjen e Komiteteve Lokale për Siguri Publike (KLSP) u tha se është mjaft i theksuar dhe arrin përqindje deri rreth 85 për qind.