BALLKANI

Osmani: Bllokadat në pikat kufitare, me qëllim të tensionimit dhe destabilizimit të paqes

“Në kundërshtim me të gjitha marrëveshjes e Brukselit të cilat janë arritur në këto 12 vjet, Serbia edhe njëherë tregon se nuk i intereson lëvizja e lirë”, theksoi Osmani

Agim Sulaj  | 07.09.2024 - Përdıtësım : 07.09.2024
Osmani: Bllokadat në pikat kufitare, me qëllim të tensionimit dhe destabilizimit të paqes Foto: AA/Arkiv

Prishtinë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, duke komentuar zhvillimet e fundit në veriun e vendit, ka deklaruar se vendosja e bllokadave në anën serbe të pikë-kalimeve kufitare Kosovë-Serbi është bërë me qëllim që të krijohet tension dhe të destabilizohet paqja dhe siguria në Kosovë dhe rajon, transmeton Anadolu.

Në një deklarim pas zbulimit të shtatores së ish-presidentit Ibrahim Rugova në Podujevë, presidentja Osmani tha se në kundërshtim me të gjitha marrëveshjet e arritura në Bruksel në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, Serbia po vazhdon të shfrytëzojë banda kriminale për të kryer sulme të vazhdueshme ndaj Kosovës dhe ndaj lëvizjes së lirë.

“Në kundërshtim me të gjitha marrëveshjes e Brukselit të cilat janë arritur në këto 12 vjet, Serbia edhe njëherë tregon se nuk i intereson lëvizja e lirë, fqinjësia e mirë, përkundrazi ajo po vazhdon të shfrytëzojë banda kriminale për të kryer sulme të vazhdueshme ndaj Kosovës dhe ndaj lëvizjes së lirë”, theksoi Osmani.

Sipas saj, këto bllokada të cilat janë krijuar kohëve të fundit, “në mënyrë të veçantë kanë për qëllim të terrorizojnë qytetarët shqiptarë që donin t’i shfrytëzonin këto pika kufitare dhe të krijojnë tensione, të destabilizojnë Kosovën dhe gjithë rajonin tonë”, theksoi ajo.

Po ashtu, sipas Osmanit bllokadat në të njëjtën kohë tregojnë lidhshmërinë e drejtpërdrejt ndërmjet shtetit serb dhe bandave kriminale që i kanë organizuar këto bllokada.

“I bëj thirrje aleatëve tanë që të dalin me qëndrim publik lidhur me këto shkelje të vazhdueshme nga ana e Serbisë, të cilat po shkelin të drejtat e qytetarëve tanë dhe kanë tendencë ta destabilizojnë paqen dhe sigurinë jo vetëm në Kosovë, por, në tërë rajonin tonë”, shtoi Osmani.

Sipas autoriteteve kosovare, qarkullimi i të gjitha automjeteve nga të dyja anët e kufirit verior në pikë-kalimin Jarinjë mes Kosovës dhe Serbisë është duke u zhvilluar pa ndonjë problem të shtunën, një ditë pasi u bllokua pjesërisht nga disa shoqata serbe. Ndërkohë, dy pikë-kalime të tjera, Bërnjak dhe Merdare, vazhdojnë të mbesin të mbyllura.

Autoritet kosovare njoftuan ditë më parë se i ashtuquajturi “Këshill Organizativ për Bllokada” në Serbi, ka bërë të ditur se më 6 shtator 2024 planifikohen bllokada të rrugëve që çojnë drejt vendkalimeve kufitare me Republikën e Kosovës.

Bllokimi i pikë-kalimeve kufitare në anën serbe midis Serbisë dhe Kosovës vjen si shenjë proteste ndaj zhvillimeve të kohëve të fundit në veri të Kosovës, pjesë e banuar me shumicë të minoritetit serb.

Javën e kaluar, Qeveria e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti mori vendim për mbylljen e pesë institucioneve paralele serbe në katër komunat me shumicë serbe, për të cilat tha se vepronin në kundërshtim me ligjet dhe kushtetutën e vendit, ndërsa pas kësaj, punëtorët e atyre institucioneve paralele protestuan dy ditë kundër mbylljes së tyre.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın