jeta, BALLKANI

Oxhakpastruesja e vetme e diplomuar në Maqedoninë e Veriut thyen paragjykimet

Jasmina Atanasova-Simjanoska thotë se njerëzit shpesh habiten kur shohin një femër oxhakpastruese, por shton se gjeneratat e reja po e pranojnë shumë më tepër këtë si normale

Aida Cako  | 08.12.2024 - Përdıtësım : 11.12.2024
Oxhakpastruesja e vetme e diplomuar në Maqedoninë e Veriut thyen paragjykimet Foto: Umeys Sulejman/AA

Shkup

SHKUP (AA) - AIDA CAKO - Në botën e zejeve tradicionale, ku roli i gruas shpesh margjinalizohet, një grua maqedonase ndryshon narrativën dhe frymëzon gjeneratat e reja. Jasmina Atanasova-Simjanoska është gruaja e parë dhe deri më tani e vetmja në Maqedoninë e Veriut që është e profesionizuar në pastrimin e oxhaqeve, profesion që pothuajse ekskluzivisht lidhet me meshkujt.

Në një intervistë për Anadolu, Jasmina thotë ka gati 10 vite që punon si oxhakpastruese pasi ka përfunduar shkollimin për këtë profesion në Zagreb të Kroacisë në vitin 2015.

E frymëzuar nga fakti se thuajse nuk ekzistojnë oxhakpastrues profesional në Maqedoninë e Veriut, ajo përveçse është arkitekte e diplomuar, ka zgjedhur edhe këtë profesion.

“Zakonisht konsiderohet se ky është një profesion mashkullor, por unë kam qenë shumë kurioze”, thotë Jasmina.

Ndonëse u përball me skepticizëm, sidomos nga brezat e vjetër, Jasmina arriti të thyejë tabutë.

Ajo thotë se njerëzit shpesh habiten kur shohin një femër oxhakpastruese, por se gjeneratat e reja po e pranojnë shumë më tepër këtë si normale.

“Të moshuarit dinë të reagojnë, 'si tani, duhet të vijë oxhakpastruesi, oxhakpastrueset nuk bëjnë asgjë, nuk kanë forcë". Unë zakonisht bëj shaka për këtë. Them 'është e vërtetë, por ato kanë teknikë'“, thotë Jasmina.

- Nga frymëzimi te edukimi

Maqedonia e Veriut po përballet me një mungesë serioze të oxhakpastruesve të arsimuar dhe të certifikuar. Shkolla e mesme profesionale "Zdravko Cvetkovski" në Shkup është qendra e vetme ku zhvillohen trajnime dhe Jasmina merr pjesë aktive në edukimin e gjeneratave të reja.

Ajo stërvit brezat e ardhshëm të oxhakpastruesve, duke u shpjeguar se kjo nuk është thjesht një zanat, por një shkencë e vërtetë, duke frymëzuar gjithnjë e më shumë vajza, të cilat e shohin potencial të madh në këtë profesion.

“Grupi i fundit që përfundoi stërvitjen me mua ishte grupi i femrave, pesë femra, bashkë me mua gjashtë, dhe vetëm dy meshkuj”, tha ajo.

Duke folur për rreziqet që sjell ky profesion, ajo thekson se nuk ka rreziqe të tepruara, duke shtuar:

“Rreziku më i madh është sistemi i frymëmarrjes, të gjithë kandidatët duhet të jenë të mbrojtur mirë dhe kur kam punuar, sigurisht që kam veshur pajisjet e plota të nevojshme për pastrimin e oxhakut”.

Falë një donacioni nga qyteti binjak gjerman Nuremberg, ekipi i Jasminas ka pajisje të nivelit të lartë për pastrim modern të oxhakut.

“Ne kemi pajisjet më moderne nga Evropa, e kemi marrë si donacion nga qyteti Nuremberg si qytet i vëllazëruar me Shkupin, kemi marrë komplete që janë vërtet të nivelit të lartë, diçka me të cilën duhet të punojë çdo oxhakpastrues modern", tha Jasmina.

Ajo shkroi edhe librin e parë për pastrimin profesional të oxhakut në Maqedoninë e Veriut. Libri fokusohet në teknikat dhe standardet moderne, të cilat aplikohen në Evropë.

Edhe pse ende nuk është publikuar, ai ka shërbyer si bazë për hartimin e ligjit të parë në Maqedoninë e Veriut për pastrimin e oxhaqeve, ligj i cili është në shqyrtim.

- Profesioni i pastrimit të oxhaqeve, zonë gri në Maqedoninë e Veriut

Në Maqedoninë e Veriut, pastrimi i oxhaqeve është ende një aktivitet i parregulluar. Shumica e oxhaqeve pastrohen vetëm kur janë plotësisht të bllokuar, gjë që paraqet rrezik për shëndetin e njeriut dhe mjedisin.

Jasmina dhe kolegët e saj po avokojnë për shndërrimin e pastrimit të oxhakut në një shërbim komunal, i cili do ta bënte pastrimin e rregullt një detyrim, të ngjashëm me pagesën e faturave të ujit ose energjisë elektrike.

“Përpjekjet tona si oxhakpastrues, si dhe për qytetin, që mendoj se po e avokon në mënyrë serioze, është që oxhakpastrimi të bëhet një aktivitet komunal”, tha Jasmina.

Jasmina Atanasova-Simjanoska është dëshmi se me kuriozitet, guxim dhe përkushtim mund të ndryshojmë shumëçka nga bota përreth nesh.

Shembulli i saj tregon se nuk ka profesione "mashkullore" apo "femërore" dhe se ka vetëm profesionistë që e duan punën e tyre.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.