BALLKANI

Përfundon votimi në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare në Maqedoninë e Veriut

Sipas të dhënave të publikuara në faqen e KSHZ-së, është përmbushur kushti që pjesëmarrja në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale të jetë mbi 40 për qind që votimi të konsiderohet i vlefshëm

Abdula Berisha  | 08.05.2024 - Përdıtësım : 09.05.2024
Përfundon votimi në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare në Maqedoninë e Veriut Foto: Umeys Sulejman/AA

Shkup

Në ora 19:00 janë mbyllur qendrat e votimit, me çka përfundoi votimi në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare në Maqedoninë e Veriut, raporton Anadolu.

Në zgjedhjet e shtata presidenciale të drejtë vote kishin 1.814.317 votues.

Kandidatë për president të shtetit në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale ishin Gordana Siljanovska Davkova, e mbështetur nga koalicioni opozitar i udhëhequr nga VMRO-DPMNE dhe presidenti aktual Stevo Pendarovski, i mbështetur nga koalicioni i udhëhequr nga LSDM.

Sipas të dhënave të publikuara në faqen e KSHZ-së, është përmbushur kushti që pjesëmarrja në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale të jetë mbi 40 për qind që votimi të konsiderohet i vlefshëm.

Sa i përket zgjedhjeve parlamentare, të drejtë vote në kishin 1.815.350 votues. Diferenca në votues krahasuar me zgjedhjet presidenciale është 1.033, kryesisht për shkak të qytetarëve që mbushin 18 vjet.

Në zgjedhje ishin gjithsej 1.755 kandidatë, nga të cilët 1.002 janë meshkuj dhe 753 femra, të cilët garuan për 120 ulëse në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Zyrtarë nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) dhe nga Ministria e Punëve të Brendshme gjatë ditës kanë njoftuar se nuk janë regjistruar shqetësime më serioze të rendit dhe qetësisë publike.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın