Agim Sulaj
01 Nëntor 2019•Përditësim: 04 Nëntor 2019
Zëvendës Ndihmësi i Sekretarit të Shtetit i SHBA-ve, njëherësh Përfaqësues Special i Sekretarit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, ka folur sot para studentëve dhe pjesëtarëve të shoqërisë civile në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, raporton Anadolu Agency (AA).
Palmer duke folur para studentëve dhe përfaqësuesve nga shoqëria civile, tha se emërimi i tij si Përfaqësues Special për Ballkanin Perëndimor nënvizon se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të pranishme, të përqendruara dhe të gatshme për të ndihmuar këtë rajon.
Palmer tha se “Kosova duhet të kuptojë që bashkëpunimi dhe kompromisi mes fqinjëve janë vlera të përparimit”.
“Zgjidhja njëherë e përgjithmonë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përmes normalizimit të plotë mbetet prioritet strategjik i SHBA-së, që do të ketë ndikim të jashtëzakonshëm në popullin këtu por edhe më gjerë në rajon. Sepse, do t’i çlirojë të dyja vendet, Kosovën dhe Serbinë nga trashëgimia e armiqësive që shtjerrë fokusin dhe energjinë e tyre dhe do të hapë mundësitë ekonomike”, tha ai.
Palmer tha se tani pas zgjedhjeve parlamentare të mbajtura në fillim të tetorit, “sytë e botës”, do të shikojnë se çfarë do të bëjë qeveria e re e Kosovës, “a mund të merret ajo me prioritetet e brendshme të kërkuara nga populli përderisa merret me politikat ndërkombëtare të cilat Kosova duhet t’i zgjidhë për të përparuar”.
Siç tha Palmer, dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE), nuk duhet të shihet si shpërqendrim për përmirësimin e vendit, por si rrugë për “prosperitet dhe drejtësi”.
“Marrëdhëniet e përmirësuara dhe përparimi në bisedime me Serbinë hapë mundësi për investime fitimprurëse që të krijohen vende të reja të punës prej të cilave mund të përfitojë populli i Kosovës. Qeveria e re, kur të formohet e pajisur me mandatin e ri nga votuesit, mundet dhe do të duhej t’i qëndrojë negociatave të dialogut. SHBA-ja do ta përkrahë gjithmonë sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës. Por, ne nuk shohim kurrfarë mundësie për integrimin e vendit tuaj në fushën ndërkombëtare që nuk përfshinë pajtimin me Serbinë”, tha ai.
I pyetur nga studentët se a ka ndonjë afat për përmbylljen e procesit të dialogut Kosovë Serbi me ndërmjetësimin e BE-së, Palmer tha se ka një urgjencë, dhe “sa më parë të përmbyllet ky proces aq më mirë është për të dyja vendet”.
Palmer i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë, është takuar gjatë ditës me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, si dhe përfaqësues të partive politike në vend.
Matthew Palmer, është emëruar përfaqësues i posaçëm për Ballkanin në gusht të këtij viti nga sekretari amerikan i shtetit Mike Pompeo. Palmer më parë ka qenë Drejtor i Zyrës për Evropën jugore dhe të mesme.