Partia Socialiste e Shqipërisë fiton mandatin e tretë qeverisës
Në Shqipëri ka përfunduar procesi i numërimit të votave për partitë politike, ndërkohë partia në pushtet, Partia Socialiste, e drejtuar nga kryeministri Edi Rama, ka fituar 48,68 për qind, duke siguruar 74 mandate

Tiranë
Sipas të dhënave zyrtare paraprake të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), Partia Socialiste e Shqipërisë (PS) ka fituar zgjedhjet parlamentare që u mbajtën më 25 prill, duke fituar mandatin e tretë qeverisës, transmeton Anadolu Agency(AA).
Në të gjithë vendin ka përfunduar procesi i numërimit të votave për partitë politike për të gjithë 5.199 qendrat e votimit, ndërkohë partia në pushtet, e drejtuar nga kryeministri Edi Rama, ka fituar 48,68 për qind, duke siguruar 74 mandate nga 140 deputetë që ka Kuvendi i Shqipërisë.
Në vend të dytë renditet koalicioni i udhëhequr nga partia më e madhe opozitare, Partia Demokratike e Shqipërisë (PD), me 39,43 për qind të votave, duke fituar 59 mandate.
Partia tjetër opozitare, Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI), renditet në vend të tretë me 6,81 për qind, duke siguruar 4 mandate.
Ndërkohë, 3 mandate i ka fituar edhe Partia Socialdemokrate (PSD), cila ka konkurruar më vete, duke marrë në rang vendi 2,25 për qind të votave.
Në vend vazhdon procesi i numërimit të votave për kandidatët për deputetë, që do të përcaktojë renditjen përfundimtare të listës së deputetëve të ardhshëm.
Në Shqipëri është hera e parë që një parti politike fiton mandatin e tretë qeverisës radhazi që nga viti 1991 pas përmbysjes së regjimit komunist.
Në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit konkurruan dy koalicione, Koalicioni Partia Demokratike-Aleanca për Ndryshim (PD-AN), i cili udhëhiqet nga partia më e madhe opozitare në vend, Partia Demokratike e Shqipërisë (PD) dhe përbëhet nga 13 parti që garojnë me një listë të vetme si koalicion dhe koalicioni Aleanca Bashkimi Popullor – Emigracioni – Ora e Shpresës dhe Konservatorët (ABEOK), i përbërë nga 4 parti politike.
Gjithashtu 10 parti politike garuan më vete, përfshirë edhe partinë në pushtet, Partinë Socialiste të Shqipërisë (PS) dhe disa kandidatë të pavarur.
Risia e këtyre zgjedhjeve ishte procesi i votimit nën kushtet e pandemisë, sistemi i ri zgjedhor, votimi dhe numërimi elektronik që u aplikua në një nga zonat zgjedhore në Tiranë, si dhe konkurrimi i disa partive të reja.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.