Furkan Abdula
04 Qershor 2019•Përditësim: 04 Qershor 2019
Presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, me rastin e festës së madhe muslimane, Fitër Bajramit, përcolli urime deri te qytetarët e besimit islam në vend, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në njoftimin e kabinetit të presidentit Pendarovski theksohet se në këto ditë feste të unitetit, bashkimit dhe respektit, të gjithë së bashku duhet të “vazhdojmë drejt ndërtimit të bashkëjetesës për të gjithë qytetarët dhe të ndërtojmë një shoqëri për të gjithë, shembull për gjeneratat e ardhshme”.
“Me këtë festë të madhe shënohet fundi i agjërimit një mujor në secilin besimtar, sinqerisht hap zemrën për fenë dhe dashurinë. Muaji i shenjtë i Ramazanit është një muaj i dhurimit, ndihmës dhe unitetit dhe kjo forcon besimin për të mirën, drejtësinë dhe mirëkuptimin dhe respektin e ndërsjellë. Dëshiroj që këto vlera të jenë përditshmëria jonë dhe të gjithë të kemi një jetë të rehatshme dhe të lumtur, jo vetëm në ditët festive, por edhe në mbarë vitin”, theksoi Pendarovski.
Sipas njoftimit, Pendarovski dërgoi urim edhe deri te prijësi i Bashkësisë Fetare Islame në Republikën e Maqedonisë së Veriut, reis – ulema – haxhi Sulejman effendi Rexhepi.
“Më lejoni, Juve personalisht, anëtarëve të Rijasetit, myftinive, imamëve dhe të gjithë qytetarëve të besimit islam në Republikën e Maqedonisë së Veriut t’ua përcjell urimet më të përzemërta me rastin e festës së Ramazan-Bajramit. Do të dëshiroja që në këtë festë të madhe ta theksojë kontributin e BFI-së dhe bashkëqytetarëve tanë të besimit islam në ndërtimin e paqes dhe bashkëjetesës në Republikën e Maqedonisë së Veriut multietnike dhe multireligjioze. Qëllimi ynë i përbashkët është atdheu prosperues dhe evropian”, thuhet në njoftim.
Edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, me rastin e festës së Fitër Bajramit, ka uruar Bashkësinë Fetare Islame dhe kreun e saj Sulejman Rexhepi, anëtarët e Rijasetit, dhe të gjithë besimtarët muslimanë në vend.
Në letrën e tij, Zaev uron besimtarët muslimanë me dëshira që drita të kaplojë zemrat e tyre për të përçuar mesazhet e paqes, tolerancës dhe lirisë për të gjithë pjesëtarët e besimit islam, por edhe për pjesëtarët e bashkësive tjera fetare.
Fundi i agjërimit dhe përfitimet gjatë muajit të vetëmohimit dhe të maturisë thotë Zaev, “le të ju zbukurojnë me solidaritetit dhe humanizëm duke i ndarë me familjen tuaj, të afërmit, miqtë dhe fqinjët”.
"Në frymën e Ramazan Bajramit të kultivojmë mirësinë ndaj tjetrit, mirësinë ndaj të ndryshmit si një udhërrëfyes për të gjithë ne qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut që bashkërisht të forcojmë shoqërinë tonë të përbashkët. Të përsosim këtë shtëpi tonë, në të cilën çdo qytetar do të ketë kushte të barabarta të jetës, lumturisë dhe të realizojë ambiciet e tij”, thuhet në urimin e kryeministrit Zaev, me rastin e festës së Bajramit.