Furkan Abdula
23 maj 2023•Përditësim: 24 maj 2023
Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, në kuadër të vizitës së tij në Belgjikë, ka pasur një audiencë me Mbretin e Belgëve Philippe, transmeton Anadolu.
Sipas kumtesës së zyrës presidenciale, Pendarovski dhe mbreti Philippe shprehën kënaqësinë për zhvillimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, të cilat karakterizohen me miqësi të fuqishme dhe të sinqertë, të bazuar në respekt dhe mirëkuptim të ndërsjellë.
Në prag të shënimit të 30-vjetorit nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike u theksua interesi për avancimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh.
"Presidenti Pendarovski në bisedën e tij me Mbretin e Belgëve Philippe shprehu mirënjohjen për bashkëpunimin e hapur dhe konstruktiv të deritanishëm, si dhe për mbështetjen për procesin integrues të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian", thuhet në komunikatë.
Në takim u theksua aleanca në kuadër të NATO-s si një vlerë e shtuar për veprimin e përbashkët për ndërtimin e një Evrope më të qëndrueshme dhe më të sigurt.