Kulturë, BALLKANI

Pianistja me shikim të dëmtuar arriti të realizojë ëndrrën e saj në muzikë

Edhe pse e verbër, Ema Ananievska arriti të realizonte ëndrrat e saj dhe pasionin për muzikën

Aida Cako  | 15.10.2024 - Përdıtësım : 16.10.2024
Pianistja me shikim të dëmtuar arriti të realizojë ëndrrën e saj në muzikë Foto: Umeys Sulejman / AA

Shkup

AIDA CAKO

Tingujt e qetë të pianos ndonjëherë thonë më shumë se fjalët, sidomos kur vijnë nga gishtat e Ema Ananievskas.

Edhe pse e verbër, Ema arriti të realizonte ëndrrat e saj dhe pasionin për muzikën. Përveçse është një pianiste e suksesshme, ajo në mënyrë aktive lufton për të drejtat dhe kushte më të mira për personat e verbër dhe me shikim të dëmtuar në Maqedoninë e Veriut.

Me një qëndrim pozitiv dhe vendosmëri të palëkundur, Ema ndau historinë e saj me Anadolu. Jeta e saj është gjithçka përpos se e zakonshme, plot sfida që shumica e njerëzve as që mund t'i imagjinojnë.

Edhe pse e fuqizuar nga dashuria dhe mbështetja e prindërve, Ema që nga mosha më e re u përball me gjëra të vështira.

Ajo filloi ta ketë të qartë se ishte ndryshe nga fëmijët tjerë kur filloi të shkojë në çerdhe, në moshën trevjeçare.

"Në njëfarë mënyre kisha shumë pyetje në kokën time. A jam e sëmurë, pse duhet mua të më ndodhë e gjithë kjo", tha Ema për Anadolu, duke shtuar: "Me kalimin e kohës, me biseda, me sqarime, mësova të pranoj gjendjen dhe të kuptoj se nuk jam edhe aq ndryshe, se nëse e pranoj vetveten, do të jem e pranuar edhe nga të tjerët".


- Shkollimi: Luftimi i sfidave

Ema e filloi procesin arsimor në një shkollë të rregullt, por menjëherë hasi në pengesa. Pa literaturën e duhur në alfabetin Braj, alfabetin për të verbërit, asaj iu desh të mbështetej te prindërit që i regjistronin mësimet në një diktafon, që ajo më pas t'i dëgjonte dhe mësonte.

"Detyrat i kam shkruar në alfabetin Braj dhe nëna ime i ka rishkruar në mënyrë që mësuesit të lexojnë atë që kam shkruar", thotë Ema.

Duke qenë se ka kryer arsimin e mesëm muzikor dhe Fakultetin e Artit Muzikor, leximi i notave muzikore ishte një sfidë shtesë për të.

Duke folur për sfidat e tanishme, Ema tregon për Anadolu se me avancimin e teknologjisë, pavarësia e saj është bërë më e madhe, por lëvizja nëpër qytet është problemi i saj më i madh.

Përveç muzikës, Ema është e përfshirë në mënyrë aktive në luftën për një shoqëri gjithëpërfshirëse. Përmes përvojave dhe bashkëpunimit me organizata, ajo vazhdimisht avokon për kushte më të mira për personat me aftësi të kufizuara në Maqedoninë e Veriut.

"Mendoj se çdo njeri duhet të përpiqet të hyjë në këpucët e tjetrit. Nuk i gjykoj njerëzit që nuk kuptojnë se si jetoj unë, e as unë nuk mund të kuptoj si jetoni ju që shihni. Rekomandoj që njerëzit të jenë të hapur, të pranojnë dallimet, të pyesin për atë që nuk kuptojnë sepse gjithçka zgjidhet me bisedë. Gjithmonë mund të mësojnë diçka nga diversiteti, ndërsa edhe ne gjithashtu mund të mësojmë diçka nga 'njerëzit normal. Le ta pranojmë njëri-tjetrin, të kuptojmë njëri-tjetrin dhe të respektojmë njëri-tjetrin", është mesazhi i Emës.


- "Skena është hapësira ku jam më rehat"

Për Emën, muzika nuk është vetëm art, por një mënyrë jetese, shprehje e emocioneve dhe e botës që ajo imagjinon.

"Unë krijoj muzikë përmes përvojave të përditshme, mënyrës se si e përfytyroj botën në kokën time dhe çdo vepër që krijoj ka një histori pas saj. Do të ishte shumë interesante të shihja se si do t'i përjetonin të tjerët mesazhet që unë dua të përcjell, pra se si i përjetoj gjërat, të shohim se ku jemi, cili është mjedisi, të shpjegojmë disi se si e përjetoj unë botën dhe si të tjerët", tha Ema.

Dashurinë për muzikën e ka zhvilluar qysh në moshë të vogël, duke shkuar te miqtë që kishin sintisajzer dhe piano dhe duke luajtur me ta. Më pas prindërit zbuluan talentin e saj dhe e regjistruan në një shkollë muzikore.

"Mendoj se skena është hapësira ku jam më rehat. Kam performuar dy herë në Beograd, një herë në Rusi, si përfaqësuese e shkollës së mesme të muzikës", thotë Ema, duke shtuar se ishte një përvojë jashtëzakonisht pozitive për të.

Çdo 15 tetor, bota feston ditën ndërkombëtare të personave të verbër, të njohur si Dita e Shkopit të Bardhë, një simbol i pavarësisë dhe mbështetjes te vetja për personat me shikim të dëmtuar. Kjo ditë na kujton jo vetëm sfidat me të cilat përballen personat me dëmtim të plotë ose të pjesshëm të shikimit, por edhe përgjegjësinë e shoqërisë për të mbështetur integrimin e tyre.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın