Plani i Rritjes: Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria përfitojnë parafinancim nga BE-ja
Komisarja e BE-së për Zgjerimin, Marta Kos, ka theksuar se kjo do të nxisë zbatimin e reformave kyç për të nxitur rritjen, përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe afrimin e vendeve me BE-në

Shkup
Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut do të përfitojnë parafinancim në kuadër të Planit të Rritjes të Bashkimit Evropian (BE) për të vazhduar rrugën drejt integrimit në bllokun evropian, transmeton Anadolu.
Komisarja e BE-së për Zgjerimin, Marta Kos, në një postim në “X”, ka theksuar se kjo do të nxisë zbatimin e reformave kyç për të nxitur rritjen, përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe afrimin e vendeve me BE-në.
“Urime për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë për vendosjen e ritmit në Ballkanin Perëndimor për të marrë parafinancim në kuadër të Planit të Rritjes të BE-së. Kjo duhet t’i japë shtysë zbatimit të reformave kyç për të nxitur rritjen, përmirësuar jetën e qytetarëve dhe afruar vendet më shumë me BE-në”, ka shkruar Kos.
Siç njofton Delegacioni i BE-së në Shkup, një parafinancim në vlerë prej 52,2 milionë euro është në zhvillim e sipër për Maqedoninë e Veriut dhe synon të mbështesë zbatimin e agjendës reformuese dhe angazhimeve që vendi ka marrë me të.
Ndryshimet e nevojshme strukturore në Maqedoninë e Veriut do të mbështeten me gjithsej 750,4 milionë euro nga Fondi i Reformës dhe Rritjes në Ballkanin Perëndimor në periudhën 2024-2027.
Ndërkaq, raportohet, Shqipëria do të ketë akses në një fond total prej 920 milionë eurosh si pjesë e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor të BE-së.
Ky zhvillim vjen pas përgatitjes së agjendës së reformave nga ana e vendeve në fjalë.
Plani i Rritjes i BE-së për Ballkanin Perëndimor synon integrimin e përshpejtuar të rajonit në BE, duke përfshirë aksesin progresiv në tregun e vetëm të BE-së.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.