BALLKANI

Policia e Kosovës konfiskon lëndë narkotike të fshehur në automjetin me targa serbe

I dyshuari me iniciale N.M. nga Beogradi, pas veprimeve të para hetimore, është arrestuar dhe me vendim të Prokurorit është dërguar në ndalim policor për 48 orë

Agim Sulaj  | 25.03.2025 - Përdıtësım : 25.03.2025
Policia e Kosovës konfiskon lëndë narkotike të fshehur në automjetin me targa serbe

Prishtinë

Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë (DHTN) nga Policia e Kosovës, ka realizuar një operacion në rajonin e Mitrovicës së Veriut, ku ka parandaluar transportimin e një sasie të konsiderueshme narkotikësh, transmeton Anadolu.

Policia e Kosovës nëpërmjet një njoftimi për media ka bërë të ditur se operacioni u zhvillua nga DHTN në Mitrovicë Veriore, në koordinim me Policinë Kufitare dhe mbështetje nga Njësia e Krim-Teknikes, në pikë kalimin kufitar Kosovë–Serbi, në Jarinjë.

Lëndët narkotike u gjetën në veturën "Mercedes A-Class", të përzgjedhur për kontroll nga policia kufitare.

"Pasi janë ngritur dyshime të theksuara, automjeti në fjalë është dërguar në Mitrovicën e Jugut për një kontroll më të detajuar. Gjatë inspektimit dhe kontrollit të automjetit, në pjesën e poshtme të tij është gjetur një rezervuar i shtuar metalik, i cili dyshohej të mbante substanca narkotike. Pas hapjes së rezervuarit, janë gjetur gjithsej 30 pako të mbështjella me folie transparente, që përmbanin substanca të dyshuara narkotike të llojit marijuanë", njoftoi Policia e Kosovës.

Sipas institucionit të sigurisë kosovare, pesha totale e sasisë së konfiskuar është 32.4 kilogramë.

Gjithashtu, në përputhje me procedurat ligjore, dy telefonë celularë janë konfiskuar dhe automjeti i dyshuar është sekuestruar për hetime të mëtejshme.

I dyshuari me iniciale N.M. nga Beogradi, pas veprimeve të para hetimore, është arrestuar dhe me vendim të Prokurorit është dërguar në ndalim policor për 48 orë, ndërsa hetimi i rastit vazhdon nga antidroga në Mitrovicën Veriore.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.