Policia e Kosovës zbulon armatim në veri, dyshon se ndërlidhet me rastin në Banjska
Policia njoftoi se fillimisht zyrtarët policorë kanë kryer një kontroll në rrugën “Kralj Petri” në Zveçan, ndërsa kanë hasur në mjete ilegale
Prishtinë
Policia e Kosovës në Mitrovicën Veriore ka gjetur granata, municion dhe uniforma ushtarake, të cilat dyshohen se ndërlidhen me sulmin terrorist që ndodhi më 24 shtator të vitit 2023 në Banjskë të komunës së Zveçanit, transmeton Anadolu.
Nëpërmjet një njoftimi për media, policia njoftoi se fillimisht zyrtarët policorë kanë kryer një kontroll në rrugën “Kralj Petri” në Zveçan, ndërsa kanë hasur në mjete ilegale.
“Gjatë kontrollimit janë gjetur tre kavanozë (bure) plastikë të groposur në dhe, në të cilët kishte pasur uniforma ushtarake, armë AK47, granata dore dhe fishekë. Fillimisht një bure është gjetur nga njësitet e Drejtorisë Rajonale Policore - Mitrovicë Veri, e më pas nga Njësia për Trajtimin e Mjeteve Eksplozive janë gjetur edhe dy bure të tjera”, thuhet në njoftimin e policisë.
Gjithashtu në njoftimin e policisë thuhet se janë gjetur edhe katër granata M75, dy pushkë automatike AK47, gjashtë karikatorë me municion të AK47, 179 fishekë të M48, një antiplumb ushtarak me dy pllaka, tre palë pantallona, katër jakne ushtarake, dy jelekë taktikë, dy gas-maska, dy çanta krahu ushtarake, si dhe gjë sende të tjera.
“Ky rast ka të bëjë me një person me interes për policinë, i cili dyshohet se ndërlidhet me rastin Bajnska”, theksohet në njoftim.
Më 25 shtator të vitit 2024, një vit pas sulmit në Banjskë në veri të Kosovës, kur një grup serbësh të armatosur sulmuan policinë dhe vranë rreshterin policor Afrim Bunjaku, në Gjykatën Themelore të Prishtinës nisi gjykimi ndaj 45 personave të përfshirë në këtë rast.
Gjykimi nisi në mungesë, sepse shumica prej të akuzuarve mbeten të paarritshëm për sistemin gjyqësor të Kosovës.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.