BALLKANI

Presidenti Begaj dhe ministri Vengu takojnë gjeneralin amerikan Cavoli

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj dhe ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, kanë pritur në takime të ndara Gjeneralin Christopher G. Cavoli

Fatjon Cuka  | 17.09.2024 - Përdıtësım : 17.09.2024
Presidenti Begaj dhe ministri Vengu takojnë gjeneralin amerikan Cavoli Foto: Presidenca e Shqipërisë

Tiranë

Komandanti i Komandës Evropiane të Shteteve të Bashkuara (EUCOM) dhe Forcave Supreme Aleate për Evropën (SACEUR), Gjenerali Christopher Cavoli, po viziton Tiranën për të marrë pjesë në Konferencën e 27-të të Shefave të Shtabit të Përgjithshëm të Iniciativës SHBA - Karta e Adriatikut (A-5), transmeton Anadolu.

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj dhe ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, kanë pritur në takime të ndara Gjeneralin Christopher G. Cavoli.

Në një njoftim nga Presidenca e Shqipërisë thuhet se gjatë bisedës me Gjeneral Cavolin, presidenti Begaj i përcolli komandantit Suprem të Aleatëve në Evropë mirënjohjen për punën e kryer si SACEUR në mbrojtjen kolektive, si edhe për nxitjen e bashkëpunimit rajonal dhe përballë sfidave të reja "me synim ruajtjen e paqes dhe sigurisë në zonën Euroatlantike dhe në arenën ndërkombëtare".

"Presidenti Begaj vlerësoi ndërtimin e kapaciteteve të nevojshme dhe zhvillimin e Forcave të Armatosura Shqiptare, rritjen e bashkëpunimit me aleatët e NATO-s, të bazuara në angazhimet e përbashkëta dhe vizionin e vendit tonë për të rritur sigurinë transatlantike dhe për të forcuar stabilitetin në Ballkanin Perëndimor", thuhet në njoftim.

Më tej theksohet se Presidenti Bajram Begaj theksoi gjatë bisedës me Gjeneral Cavolin ambiciet e Shqipërisë për të rigjallëruar industrinë e mbrojtjes, nismat dhe investimet e ndërmarra, si edhe ofrimin e Porto Romanos si bazë e NATO-s.

Ndërkohë, në një reagim në rrjetet sociale në lidhje me takimin, ministri Vengu ka theksuar se ka falënderuar Gjeneral Cavolin për "mbështetjen jetike që Shtetet e Bashkuara të Amerikës japin çdo ditë në rrafshin e modernizimit të Forcave tona të Armatosura si dhe fuqizimit të kapitalit tonë njerëzor".

"Me ushtarakun e lartë amerikan folëm gjatë për situatën në rajon, mbështetjen e madhe që NATO vijon të japë në Kosovë dhe rrugëtimin e saj euro-atlantik, sikundër dhe nevojën që të adresohen njëzëri retorikat destabilizuese dhe influencat dezinformuese të aktorëve të tretë në vendet e rajonit", ka shkruar ministri Vengu.

Vengu ka shtuar se gjeneral Cavoli përshëndeti masat e marra për rivitalizimin e industrisë ushtarake në Shqipëri.

Cavoli po viziton Shqipërinë në kuadër të konferencës së 27-të e Shefave të Shtabit të Përgjithshëm të Iniciativës SHBA – Karta e Adriatikut (A-5) që do të mbahet në Tiranë.

Sipas një njoftimi të Ambasadës së SHBA-së në Tiranë, të publikuar në rrjetet sociale, Cavoli do të takohet edhe me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.