Presidenti Begaj organizon pritje zyrtare për Ditën e Flamurit dhe Pavarësisë
Në pritjen e organizuar në Pallatin e Brigadave në Tiranë ishin të pranishëm zyrtarë të lartë dhe personalitete nga fusha të ndryshme nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut
Tiranë
Me rastin e Ditës së Flamurit dhe të Pavarësisë, presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka organizuar një pritje zyrtare me pjesëmarrjen e zyrtarëve të lartë dhe personaliteteve nga fusha të ndryshme nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, raporton Anadolu.
Në fjalën e tij përshëndetëse në pritjen e organizuar në Pallatin e Brigadave në Tiranë, presidenti Begaj theksoi se Pavarësia e Shqipërisë mbetet në çdo nëntor "agimi i ri i ëndrrave dhe simboli më i qartë i vendosmërisë shqiptare".
"Çdo nëntor është një rifillim dhe një vijim, në të cilin vazhdojmë të ndërtojmë me vendosmëri arritjet e një vendi që është pjesë e Evropës dhe që rilindi në 1912-ën si shtet i pavarur. Shqiptarët janë trashëgimtarë të amanetit për pavarësi dhe premtimit për një Shqipëri të drejtë e të zhvilluar", tha Begaj.
Begaj u shpreh se sot sfidë nuk është më vetëm mbrojtja e kufijve, por edhe siguria, drejtësia, ekonomia, arsimi, shëndetësia, teknologjia, demografia, kujdesi ndaj ambientit e mbi të gjitha mirëqenia e qytetarëve
"Pavarësia jonë matet me cilësinë e jetës së qytetarëve, me mundësitë që krijojmë për të rinjtë tanë dhe me vendosmërinë për të përmirësuar të sotmen dhe krijimin e një vizioni për një të nesërme premtuese për vendin", u shpreh presidenti i Shqipërisë.
Presidenti Begaj gjithashtu theksoi se Kosova ka pasur, ka dhe do të këtë kurdoherë mbështetjen e Shqipërisë.
"Nga udhëtimi ynë për pavarësi, deri tek udhëtimi ynë drejt Evropës, sot është momenti për të nderuar të kaluarën, për të festuar të tashmen dhe për t’u angazhuar me përgjegjshmëri për të ardhmen", shtoi Begaj.
Në Shqipëri 28 Nëntori shënohet si festë zyrtare dhe festohet si Dita e Flamurit dhe Pavarësisë, pasi më 28 nëntor të vitit 1912 Shqipëria shpalli pavarësinë.