Fatjon Cuka
27 prill 2023•Përditësim: 28 prill 2023
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, po zhvillon një vizitë zyrtare në Kroaci, ndërkohë është pritur me ceremoni nga homologu i tij kroat, Zoran Milanoviq, raporton Anadolu.
Gjatë konferencës së përbashkët për mediat me presidentin Milanoviq, presidenti Begaj foli mbi marrëdhëniet mes dy vendeve, procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, zhvillimet rajonale dhe çështje të tjera.
Begaj ka theksuar se me homologun e tij kanë ndarë pikëpamjen e përbashkët se marrëdhëniet shqiptaro-kroate sot janë në ditën e tyre më të mirë, sipas tij, falë marrëdhënieve të shkëlqyera historike dhe tradicionalisht miqësore midis dy vendeve e dy popujve.
Presidenti Begaj tha se dokumenti i partneritetit strategjik i firmosur midis dy vendeve i ka dhënë një dinamikë të re marrëdhënieve midis dy vendeve.
"Gjithashtu nënvizova se Shqipëria është një partner i besueshëm i Bashkimit Evropian (BE) për sa i përket politikës së saj të përbashkët të jashtme dhe të sigurisë. Duke u ndalur tek bashkëpunimi rajonal vlerësova në mënyrë të veçantë mbështetjen e plotë që presidenti Milanoviq dhe institucionet kroate i kanë dhënë Kosovës, si në kuadër të procesit të njohjeve ashtu dhe në atë të anëtarësimit të saj në organizatat ndërkombëtare dhe rajonale, por edhe për liberalizimin e vizave”, tha Begaj.
Ai ka shtuar se gjithashtu ndanë mendimin si dy vende anëtare të NATO-s, se roli dhe angazhimi i përbashkët për sigurinë dhe stabilitetin e rajonit është dhe mbetet mjaft i rëndësishëm.
“Në këtë këndvështrim nënvizuam interesin e përbashkët dhe nevojën e një koordinimi midis nesh që edhe Kosova të bëhet sa më parë pjesë e kësaj aleance", tha Begaj
Begaj tha se ka shprehur mbështetjen e Shqipërisë për dialogun Kosovë-Serbi të ndërmjetësuar nga BE-ja dhe të mbështetur nga SHBA-ja, duke nënvizuar se "zbatimi pa rezerva dhe i shpejtë i dakordësisë në Ohër për planin evropian do t’i hapë rrugën normalizimit të marrëdhënieve dhe më pas një marrëveshjeje përfundimtare, të detyrueshme ligjërisht e të njohur ndërkombëtarisht, me në qendër njohjen e ndërsjellë midis dy vendeve”.
Më tej, presidenti i Shqipërisë gjithashtu theksoi se shteti i Kosovës është një shtet sovran, i pavarur dhe se integriteti territorial i Kosovës as nuk mund të vihet në dyshim.
"Zhvillimet më të fundit gjeopolitike, pas agresionit të pajustifikuar rus ndaj Ukrainës, e bëjnë edhe më të rëndësishëm bashkëpunimin tonë rajonal për çështjet e sigurisë, përfshirë edhe atë kibernetike e të sulmeve hibride. Shqipëria është e palëkundur në mbështetje të Ukrainës edhe përmes rolit të saj në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara", tha ai.
Begaj do të zhvillojë takime edhe me kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkoviq, kryetarin e Parlamentit të Kroacisë, Gordan Jandrokoviq, si dhe me përfaqësues të shoqatave shqiptare.