Agim Sulaj
30 dhjetor 2019•Përditësim: 31 dhjetor 2019
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka ftuar të hënën për herë të tretë kreun e Vetëvendosjes, Albin Kurtin, për takim konsultativ për të propozuar kandidatin për kryeministër për Qeverinë e Kosovës, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në letrën që ja ka dërguar kreut të partisë e cila ka dalë e para në zgjedhje, Vetëvendosjes, Thaçi ka shkruar se mirëkupton “pamundësinë e pjesëmarrjes suaj në dy takimet e së premtes, po ju shkruaj edhe njëherë për të njëjtë çështje”.
Thaçi tha se thirrjen po e bën me qëllim të funksionalizimit sa më të shpejtë të institucioneve të vendit dhe se në kuadër të kësaj siç tha ai, “do t’i ndërmarrë të gjitha hapat e përcaktuara në Kushtetutë”.
“Me qëllim të konsultimit për të propozuar kandidatin për Kryeministër për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, ju ftoj sërish për takim konsultativ me datën 31 dhjetor 2019 në orën 10:00 në Kabinetin e Presidentit të Republikës së Kosovës”, shkroi Thaçi.
Të premten, një ditë pasi u konstituua Kuvendi i Kosovës dhe u zgjodh kryetari i Kuvendit nga radhët e VV-së, Glauk Konjufca, presidenti Thaçi i bëri ftesë Kurtit për takim konsultativ rreth mandatarit për qeverinë e ardhshme. Në ftesën e parë që i ishte bërë Kurtit për orën 13:30, ky i fundit ishte arsyetuar për afat të shkurtër kohor dhe se është jashtë Prishtinës e nuk ka mundësi të takohet.
Më pas një ftesë tjetër kishte arritur në zyrat e LVV-së për takim në orën 20:00 por edhe kjo ftesë u refuzua nga Kurti i cili nëpërmjet rrjeteve sociale tha se “Për t’u konsultuar për caktimin e mandatarit për formimin e Qeverisë, takohemi gjatë ditëve në vijim”.
Në bazë të nenit 95 pika 1 për zgjedhjen e qeverisë, Presidenti i i propozon Kuvendit kandidatin për Kryeministër, në konsultim me partinë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën e nevojshme në Kuvend për të formuar Qeverinë.
Prej kohës kur emri i propozohet Kuvendit, kandidati për kryeministër ka afat 15 ditë të paraqesë përbërjen e Qeverisë para Kuvendit të Kosovës dhe kërkon miratimin nga ana e Kuvendit.
Nëse përbërja e propozuar e Qeverisë nuk merr shumicën e votave të nevojshme, presidenti brenda dhjetë ditësh emëron kandidatin tjetër sipas së njëjtës procedurë. Nëse as herën e dytë nuk zgjidhet Qeveria, atëherë Presidenti i Kosovës i shpall zgjedhjet e reja.