Fatjon Cuka
28 shtator 2021•Përditësim: 28 shtator 2021
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka filluar vizitën e saj zyrtare në Shqipëri, ndërkohë është pritur me ceremoni zyrtare, raporton Anadolu Agency (AA).
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka pritur me ceremoni zyrtare në Pallatin e Brigadave në Tiranë presidenten e Komisionit Evropian, ndërsa të pranishëm ishin edhe zyrtarë të tjerë të Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian (BE).
Pas ceremonisë së pritjes, Rama dhe Von der Leyen kanë mbajtur një takim dypalësh, ndërsa në fund të takimeve është parashikuar edhe një konferencë e përbashkët për mediat.
Pjesë e diskutimeve në takimet në Shqipëri pritet të jenë temat në lidhje me procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, bashkëpunimin rajonal dhe luftën kundër pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19).
Ursula von der Leyen gjatë ditëve në vazhdim do të vizitojë edhe vende të tjera në rajon, në pritje të samitit BE-Ballkani Perëndimor, i cili do të mbahet më 6 tetor në Slloveni.