BALLKANI

Presidentja e Kosovës Osmani priti në takim Ndihmës Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Boris Ruge

"Në takim u diskutua edhe për çështjen e hapjes së urës së Ibrit, me ç’rast, presidentja Osmani ka përsëritur se hapja e urës si akt normalizimi e integrimi është në interes të të gjithë qytetarëve, pa dallim etnie", njofton Presidenca e Kosovës

Agim Sulaj  | 20.08.2024 - Përdıtësım : 20.08.2024
Presidentja e Kosovës Osmani priti në takim Ndihmës Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Boris Ruge Foto: Zyra e Presidentes së Kosovës

Prishtinë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim Ndihmës Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s për Çështje të Jashtme dhe Siguri, ambasadorin Boris Ruge, transmeton Anadolu.

Siç njofton Zyra e Presidentes, Osmani ka përsëritur mirënjohjen e Kosovës për kontributin e vazhdueshëm të NATO-s në Kosovë, ndërsa ka ritheksuar përkushtimin e Kosovës për anëtarësim në NATO.

Presidentja Osmani ka potencuar se Kosova është e gatshme që t’i kontribuojë unitetit transatlantik në mbrojtje të vlerave të përbashkëta të paqes, demokracisë e lirisë.

"Në takim u diskutua edhe për çështjen e hapjes së urës së Ibrit, me ç’rast, presidentja Osmani ka përsëritur se hapja e urës si akt normalizimi e integrimi është në interes të të gjithë qytetarëve, pa dallim etnie. Presidentja Osmani ka cekur rëndësinë e konsultimit dhe koordinimit në mes të institucioneve tona dhe partnerëve tanë të sigurisë, veçanërisht me NATO-n, në mënyrë që të ndërtohet plani i përbashkët i zbatimit për hapjen e urës", thuhet në njoftim.

Tutje, presidentja Osmani e uroi ambasadorin Ruge për samitin e suksesshëm të NATO-s në Washington, ku Republika e Kosovës u përfshi për herë të parë në një sërë aktivitetesh në kuadër të samitit, me ftesë të Presidentit Joe Biden dhe Sekretarit Antony Blinken, ku u riafirmua uniteti transatlantik dhe mbështetja e përbashkët për Ukrainën.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın