BALLKANI

Presidentja Osmani i përgjigjet Kuvendit: Seanca konstituive duhet të vazhdohet brenda 48 orëve

Osmani tha se funksionalizimi i institucioneve të dala nga vullneti i qytetarëve është obligim kushtetues i çdo institucioni dhe çdo personi të mveshur me autoritet publik

Agim Sulaj  | 16.04.2025 - Përdıtësım : 17.04.2025
Presidentja Osmani i përgjigjet Kuvendit: Seanca konstituive duhet të vazhdohet brenda 48 orëve

Prishtinë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka kthyer përgjigje kryesuesit të seancës konstituive të Kuvendit, Avni Dehari, lidhur me interpretimin për situatën e krijuar në Kuvend më 15 prill kur u ndërpre seanca, transmeton Anadolu.

Presidentja Osmani në letrën e saj ka theksuar se sipas Gjykatës Kushtetuese dhe Rregullores së Kuvendit të Kosovës seanca konstituive duhet të vazhdojë jo më vonë se 48 orë nga ndërprerja e saj.

Ajo tha se funksionalizimi i institucioneve të dala nga vullneti i qytetarëve është obligim kushtetues i çdo institucioni dhe çdo personi të mveshur me autoritet publik.

“Në rastin konkret, ky është obligim i juaji si kryesues i seancës konstituive si dhe i të gjithë deputetëve të zgjedhur në Legjislaturën e Nëntë të Kuvendit. Rrjedhimisht, gjithashtu ju rikujtoj se fryma e Kushtetutës, praktika gjyqësore e Gjykatës Kushtetuese dhe Rregullorja e Kuvendit të Kosovës, ju obligon që seancën konstituive ta vazhdoni jo më vonë se brenda dyzet e tetë orëve nga ndërprerja e saj”, thuhet në letër.

Ndërkohë, presidentja ka shprehur gatishmërinë që t’i mirëpresë Deharin dhe kryetarët e partive politike për ta diskutuar rrugën përpara, në rast se një gjë e tillë konsiderohet e nevojshme.

Seanca konstitutive e Kuvendit, e cila filloi dje rreth orës 11:00, dështoi pasi nuk kaloi pika e parë e rendit të ditës, ajo e miratimit të raportit të Komisionit për verifikim të kuorumit dhe mandateve.

Këtë raport nuk e votuan partitë opozitare Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), të cilët u arsyetuan se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, nuk dha me kohë dorëheqje nga pozita ekzekutive për t’u bërë deputet.

Dje, parashikohej që fillimisht të bëhej betimi i deputetëve, më pas emërimi i kryetarit të Kuvendit të Kosovës dhe nënkryetarëve, e më pas do të hapej mundësia edhe për votimin e qeverisë së re të Kosovës.

Kryeministri në detyrë, Kurti, e quajti këtë situatë si sulm brenda institucioneve, pasi tha se "për herë të parë deputetët ishin kundër vetes", meqë nuk miratuan hapa për t’u bërë ligjërisht deputetë të Kuvendit të Kosovës.

Ai tha se është e drejtë e tij si kryeministër në detyrë që ta ushtrojë postin e kryeministrit deri në emërimin e qeverisë së re, ndërsa opozita e ka kundërshtuar këtë gjë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.