BALLKANI

Presidentja Osmani kërkon nga Gjermania mbështetje për anëtarësim në organizata ndërkombëtare

Situata aktuale politike dhe ajo e sigurisë ishin gjithashtu tema të diskutimit të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani dhe ministres së Jashtme të Gjermanisë, Annalena Baerbock

Agim Sulaj  | 01.10.2024 - Përdıtësım : 02.10.2024
Presidentja Osmani kërkon nga Gjermania mbështetje për anëtarësim në organizata ndërkombëtare Foto: Zyra e Presidentit të Kosovës

Prishtinë

PRISHTINË (AA) – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e cila po qëndron për vizitë pune në Gjermani, është pritur në takim nga ministrja e Jashtme, Annalena Baerbock, transmeton Anadolu.

Siç njofton Zyra e Presidentes, në këtë takim, presidentja Osmani tha se Gjermania është partner strategjik në aspektin politik, të sigurisë dhe atë ekonomik, ndaj Kosova është mirënjohëse për mbështetjen e vazhdueshme të saj.

Presidentja Osmani ka kërkuar vazhdimin e mbështetjes gjermane edhe për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, NATO, BE dhe organizata të tjera ndërkombëtare.

Sipas njoftimit, situata aktuale politike dhe ajo e sigurisë ishin gjithashtu tema të diskutimit të presidentes Osmani dhe ministres Baerbock.

Osmani ka theksuar se synimi i institucioneve të Kosovës është integrimi i serbëve në shoqëri dhe institucione, porse një gjë e tillë po pengohet nga Serbia dhe presidenti i saj. Në këtë kontekst, Osmani ka potencuar se në procesin e dialogut me Serbinë, Kosova ka treguar përkushtim për t'i adresuar çështjet që janë në interes të qytetarëve dhe të paqes e stabilitetit rajonal.

Ndër të tjera, në këtë takim janë rikonfirmuar marrëdhëniet e mira ndërmjet dy shteteve dhe janë diskutuar mundësitë për thellimin e mëtejmë të marrëdhënieve bilaterale.

Sipas presidentes Osmani, marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë fuqizohen edhe më shumë nga numri i konsiderueshëm i mërgimtarëve kosovarë, të cilët janë integruar me sukses në shoqërinë gjermane.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın