Presidentja Osmani reagon për deklaratat e Serbisë lidhur me marrëveshjen trilaterale të mbrojtjes
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani në një deklarim për media tha se ky bashkëpunim midis shteteve të rajonit nuk paraqet kërcënim për Serbinë, duke shtuar se "Serbia po e bën të njëjtën që e ka bërë gjithmonë, pra po gënjen"

Prishtinë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar ndaj deklaratës së Serbisë lidhur me nënshkrimin e memorandumit të mbrojtjes midis Kosovës, Kroacisë dhe Shqipërisë gjatë kësaj jave, transmeton Anadolu.
Osmani në një deklarim për media të premten, tha se ky bashkëpunim midis shteteve të rajonit nuk paraqet kërcënim për Serbinë, duke shtuar se "Serbia po e bën të njëjtën që e ka bërë gjithmonë, pra, po gënjen".
Presidentja e Kosovës e ka quajtur qesharake deklaratën nga ana e Serbisë se me këtë memorandum trilateral është shkelur një marrëveshje e vitit 1996, duke thënë se Serbia bashkë me Rusinë tentojnë ta paraqesin veten si viktima, duke shfrytëzuar situata që nuk kanë të bëjnë me ta.
"Nëse i shihni deklarimet e tyre qesharake përkundër faktit që kanë një histori sulmesh, pushtimesh, histori gjenocidi dhe luftërash që i kanë shkaktuar vetë, shtetet agresore si Serbia e Rusia paraqiten se kinse po i sulmojka ata. Në historinë e ekzistimit të kombit tonë, ne kurrë nuk e kemi sulmuar askënd, por në historinë e kombit tonë, shqiptarët, Kosova në veçanti, gjithmonë e ka mbrojtur vetveten", theksoi Osmani.
Ajo tha se marrëveshja trilaterale synon që vendet t'i ndihmojnë njëra-tjetrës për t’i rritur kapacitetet e mbrojtjes, pra për ta mbrojtur veten dhe jo për ta sulmuar dikë.
Tutje, ajo është shprehur se Serbia nuk pyetet më për asgjë dhe se ajo është e vetmja që e rrezikon rajonin.
Ministria e Jashtme e Serbisë e konsideroi "provokim" marrëveshjen për aleancë ushtarake midis tre vendeve dhe tha se do t’u dërgojë kërkesë urgjente ministrive të Jashtme të Kroacisë dhe Shqipërisë, duke kërkuar shpjegim të detajuar lidhur me nënshkrimin e memorandumit trepalësh.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.