Presidentja Osmani uron Ditën e Komunitetit Turk në Kosovë
“Vlerësojmë kontributin e pandërprerë të këtij komuniteti për ndërtimin e një Kosove demokratike, të barabartë dhe ku secili qytetar, pa dallim, ndjehet i respektuar dhe i përfaqësuar", thuhet në urimin e presidentes Osmani

Prishtinë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me rastin e Ditës së Komunitetit Turk të Kosovës ka uruar qytetarët e këtij komuniteti dhe i ka cilësuar ata urë lidhëse ndërmjet Kosovës dhe Türkiyes, raporton Anadolu.
Osmani nëpërmjet rrjeteve sociale tha se kjo ditë është një mundësi e veçantë për t'i afirmuar vlerat e trashëgimisë kulturore dhe gjuhësore që komuniteti turk i ka dhënë dhe vazhdon t’ia japë shoqërisë kosovare.
“Vlerësojmë kontributin e pandërprerë të këtij komuniteti për ndërtimin e një Kosove demokratike, të barabartë dhe ku secili qytetar, pa dallim, ndjehet i respektuar dhe i përfaqësuar", thuhet në urimin e presidentes Osmani.
Më tej, në nder të kësaj dite dhe me propozim të përfaqësuesve të zgjedhur të komunitetit turk, u bë e ditur se presidentja Osmani ka dekoruar me Medaljen Presidenciale të Meritave Prof. Dr. Nimetullah Hafız për kontributin e jashtëzakonshëm në ruajtjen, zhvillimin dhe promovimin e gjuhës, letërsisë dhe kulturës turke në Kosovë, si dhe në edukimin e brezave të rinj dhe forcimin e harmonisë ndëretnike në Kosovë.
“Presidentja Osmani dekoratën do t’ia dorëzojë Profesor Hafizit në një ceremoni të veçantë që do të mbahet ditëve në vijim”, njoftoi Presidenca.
23 Prilli shënohet si Dita Kombëtare e Komunitetit Turk në Kosovë, ndërsa në Türkiye kjo ditë festohet si Dita e Sovranitetit Kombëtar dhe Festa e Fëmijëve.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.