Presidentja Osmani zhvillon takime të nivelit të lartë në Finlandë
“Finlanda ka qenë gjithmonë krah Kosovës, në ditët më të vështira dhe në rrugëtimin tonë drejt të ardhmes së përbashkët euroatlantike. Për këtë, jemi thellësisht mirënjohës”, tha Osmani

Prishtinë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar takime me udhëheqës të institucioneve të larta në Finlandë, përgjatë vizitës së saj në vend me ftesë të homologut të saj finlandez, Alexander Stubb, transmeton Anadolu.
Vizita e presidentes Osmani nisi me një ceremoni zyrtare, të organizuar në Pallatin Presidencial në Helsinki, pas së cilës të dy presidentët zhvilluan takim, pasuar nga një takim ndërmjet delegacioneve respektive të dy shteteve.
“Finlanda ka qenë gjithmonë krah Kosovës, në ditët më të vështira dhe në rrugëtimin tonë drejt të ardhmes së përbashkët euroatlantike. Për këtë, jemi thellësisht mirënjohës”, shkroi Osmani në rrjetet sociale.
Osmani tha se gjatë vizitës në Helsinki diskutuan për mundësitë e reja të bashkëpunimit midis Kosovës dhe Finlandës, në mbrojtje të paqes, demokracisë dhe vlerave që i bashkojnë qytetarët e dy vendeve.
Presidentja kosovare homologut të saj Stubb i ndau Medaljen Presidenciale Ushtarake për Forcat e Armatosura të Finlandës , për kontributin e tyre për paqe e siguri në Kosovë, në kuadër të forcave të misionit të NATO-s (KFOR).
Gjatë qëndrimit në Helsinki, Osmani u takua edhe me ministren e Punëve të Jashtme të Finlandës, Elina Valtonen.
“E falënderova për mbështetjen e fuqishme të Finlandës në rrugën tonë drejt integrimit euroatlantik dhe anëtarësimit në organizata ndërkombëtare, si dhe ritheksova përkushtimin e thellë të Kosovës për forcimin e partneritetit tonë ndërshtetëror”, shkroi ajo pas këtij takimi.
Osmani gjithashtu u prit në një takim edhe nga kryetari i Parlamentit të Finlandës, Jussi Halla-aho, ndërsa po ashtu ajo po zhvillon takime me mërgatën kosovare për të bashkëbiseduar me ta për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe për të shprehur mirënjohje për kontributin e tyre të çmuar në fuqizimin e vendit.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.