Politikë, BALLKANI

Presidentja Siljanovska-Davkova në vizitë zyrtare në Mal të Zi, pritet nga presidenti Millatoviq

Siljanovska-Davkova foli për ndryshimet kushtetuese të vendit të saj, ku ndër të tjera parashikohet në preambulë të përfshihen edhe malazezët. Ajo tha se kjo çështje “nuk do të ketë asnjë problem”

Abdulbesar Ademi  | 28.11.2024 - Përdıtësım : 28.11.2024
Presidentja Siljanovska-Davkova në vizitë zyrtare në Mal të Zi, pritet nga presidenti Millatoviq

Shkup

Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, e cila qëndron për një vizitë dyditore në Mal të Zi, është pritur në Cetina me nderimet më të larta shtetërore nga homologu i saj malazez, Jakov Millatoviq, transmeton Anadolu.

Siç njofton kabineti i presidentes së Maqedonisë së Veriut, Siljanovska-Davkova zhvilloi një takim kokë më kokë me presidentit malazez dhe më pas u zhvillua edhe takimi mes delegacioneve.

Siljanovska-Davkova në konferencën e përbashkët për media me Millatoviq foli për ndryshimet kushtetuese të vendit të saj, si kusht për të ecur përpara në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE), ku ndër të tjera parashikohet në preambulë të përfshihen edhe malazezët. Ajo tha se kjo çështje “nuk do të ketë asnjë problem”.

“Askush nuk u mohua dhe të gjithë kujtojmë se kemi qenë bashkë për më shumë se 50 vjet në të mirë dhe në të keq. Por do të rikonfirmoj edhe një herë atë që vlen për ndryshimet kushtetuese. Pas shumë situatave humbje-fitore në të cilat kemi ndërruar edhe emrin tonë, një fenomen i panjohur jo vetëm në mesin e njerëzve, por edhe në mesin e shteteve, ne jemi përballë edhe një herë me kërkesën e BE-së për ndryshime të reja kushtetuese”, tha Siljanovska-Davkova.

Ajo theksoi se Maqedonia e Veriut është “rekordmen” në ndryshimet kushtetuese, pasi siç tha ajo, në 30 vjet janë bërë 36 ndryshime kushtetuese, “kryesisht të iniciuara nga jashtë, jo nga brenda”.

“Legjitimiteti im dhe legjitimiteti i qeverisë vjen nga qytetarët. Nuk e ka origjinën nga jashtë, madje as nga BE-ja. Unë duhet të them se nuk mund të garantoj se do të ketë ndryshime kushtetuese, sepse nuk jam monark absolut dhe nuk mund ta pezulloj demokracinë parlamentare. Sipas çdo kushtetute, përfshirë edhe tonën, deputetët në sistemin e ndarjes së pushteteve përfaqësojnë qytetarët dhe votojnë sipas bindjes së tyre”, tha Siljanovska-Davkova.

Më tej, ajo tha se është plotësisht dakord me presidentin Millatoviq se “marrëdhëniet e jashtëzakonshme politike të bazuara në respekt dhe mirëkuptim duhet të vazhdojnë me bashkëpunim ekonomik, sepse realisht është simbolike në shkallën aktuale”.

“Duhet të lidhemi në mënyrë infrastrukturore, duhet të bashkëpunojmë në të gjitha fushat, sepse kur them se interesi rajonal është më i rëndësishmi për mua, në mënyrë idealiste mendoj se është shumë e rëndësishme të theksohet se nëse nuk e mbroni njëri-tjetrin, nuk mund të presim mbrojtje nga jashtë”, tha Siljanovska-Davkova.

Sipas saj, “nëse duam të arrijmë progres në këtë pjesë të Ballkanit përmes pajtimit”, është koha e fundit të zhvillojmë interesat rajonale.

Presidentja Siljanovska-Davkova këto dy ditë qëndron për vizitë në Mal të Zi, ku sot në Cetina u prit në takim nga presidenti Millatoviq. Gjatë ditës së nesërme, ajo do të udhëtojë në Podgoricë, ku pritet të takohet me kryeministrin Millojko Spajiq, ndërsa në kuadër të vizitës së saj do të mbajë edhe një ligjëratë në Fakultetin Juridik të Universitetit të Malit të Zi, me temën “Maratona demokratike dhe e integrimit evropian e Ballkanit Perëndimor”.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.