BALLKANI

Prishtinë, hapet ekspozitë me fotografitë e ish-presidentit Rugova në 19 vjetorin e vdekjes së tij

Presidentja Vjosa Osmani tha se Rugova ishte arkitekti i pavarësisë së Kosovës dhe politikbërja e tij ishte një strategji e guximshme dhe e rrallë

Agim Sulaj  | 21.01.2025 - Përdıtësım : 22.01.2025
Prishtinë, hapet ekspozitë me fotografitë e ish-presidentit Rugova në 19 vjetorin e vdekjes së tij Foto: Erkin Keçi / AA

Prishtinë

Në ambientet e Kuvendit të Kosovës në Prishtinë është hapur ekspozitë me fotografi të ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, në 19 vjetorin e vdekjes së tij, raporton Anadolu.

Në një ceremoni të organizuar nga presidentja aktuale Vjosa Osmani, u mblodhën familjarë, miq, e ish-bashkëpunëtorë të Rugovës, për ta përkujtuar jetën dhe veprën e tij.

Presidentja Osmani tha se Rugova ishte arkitekti i pavarësisë së Kosovës dhe politikbërja e tij ishte një strategji e guximshme dhe e rrallë.

“Filozofia e tij e qendresës frymëzoi jo vetëm shqiptarët, por edhe diplomacinë perëndimore, e cila e pa Rugovën si një njeri të urtë, të matur e mbi të gjitha një burrështetas të denjë e këmbëngulës për të drejtën e popullit të tij. Edhe në momentet më të vështira, ai ruajti dinjitetin e tij, e respektoi edhe ata që nuk ndanin të njëjtin vizion me të”, theksoi Osmani.

Presidentja Osmani tha se Rugovizmi është një ideal që tejkalon ndasitë dhe një frymë që bashkon për një të ardhme më të mirë për të gjithë.

Njëri nga miqtë e afërt të ish-presidentit Rugova nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ish-presidenti Fatmir Sejdiu, në një fjalë rasti, tha se me 21 janar 2006 Kosova humbi liderin vizionar dhe burrështetasin që drejtoi Kosovën gjatë periudhës më të vështirë para luftës, të luftës dhe të pasluftës.

“Rugova do të mbetet gjithmonë një simbol i unitetit dhe i pajtimit. Një lider që arriti të realizojë ëndrrën historike të shqiptarëve në Kosovë dhe kudo për një Kosovë të lirë dhe të pavarur”, theksoi Sejdiu.

Sipas tij, Rugova idetë nacionale për liri, pavarësi dhe demokraci arriti t’i mbillte jo vetëm në Kosovë, por kudo ku ka shqiptarë.

Gjatë ceremonisë, përpos ekspozitës me disa prej fotografive ndër vite të ish-presidentit Rugova, u intonua e famshmja “Kur ka ra Kushtrimi n’Kosovë” dhe u kënduan disa këngë nga një grup fëmijësh nga fshati Cërcë, vendlindja e Rugovës.

Ibrahim Rugova ndërroi jetë më 21 janar 2006 në rezidencën e tij në lagjen Velania të Prishtinës. Për disa muaj, ai vuante nga kanceri në mushkëri.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın