BALLKANI

Prishtinë, lansohet Qendra Rajonale e Ekselencës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë

Presidentja Osmani tha se kjo qendër do të jetë edhe shtëpia e historive të suksesit të grave dhe vajzave nga Kosova dhe gjithë rajonit

Agim Sulaj  | 17.09.2024 - Përdıtësım : 17.09.2024
Prishtinë, lansohet Qendra Rajonale e Ekselencës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë Foto: Erkin Keçi/AA

Prishtinë

Në Prishtinë është lansuar Qendra Rajonale e Ekselencës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, raporton Anadolu.

Në këtë ceremoni morën pjesë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ambasadorë të vendeve të huaja në Kosovë, gra përfaqësuese nga institucione të ndryshme, deputetë, si dhe të ftuar të tjerë.

Presidentja Osmani tha se kjo qendër do të jetë një mënyrë për t’i fuqizuar kapacitetet institucionale për edukim dhe trajnim të vazhdueshëm. Ajo gjithashtu tha se kjo qendër do të jetë edhe shtëpia e historive të suksesit të grave dhe vajzave nga Kosova dhe gjithë rajonit.

“Përpos agjendës, e shoh këtë qendër edhe si një mekanizëm shtesë dhe të rëndësishëm për afrimin dhe inkurajimin e bashkëpunimit rajonal aq të dëshirueshëm, sidomos nga një vend paqësor si Kosova. Dhe, po ashtu për të inkurajuar bashkëpunimin edhe me partnerë përtej rajonit tonë”, theksoi Osmani.

Ajo tha se nga kjo qendër në ditët dhe në muajt në vijim do të priten ftesa për trajnime dhe punëtori, kërkesa për plotësim të formularëve me informacione relevante për ta bërë këtë qendër “one stop shop”, pyetësor për të kuptuar situatën reale në terren, ftesa për panele, podcast, ngjarje të shënuara, strategji nacionale, e shumë të tjera.

Ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, tha se themelimi i kësaj qendre shpreh përkushtimin për t’u siguruar që gratë janë në çdo proces të paqes dhe të sigurisë, derisa shtoi se kjo qendër do të shërbejë si vendtakim për bashkëpunim, një vend ku shoqëria civile, qeveria, bota akademike dhe partnerët ndërkombëtare mund të bëhen bashkë për të krijuar strategji e përparim të qëndrueshëm.

Qendra e Ekselencës u krijua si rezultat i memorandumit të nënshkruar nga presidentja Osmani në emër të Kosovës dhe nga qeveria e SHBA-së gjatë edicionit të dytë të Forumit Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, në prill të këtij viti.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.