Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë për krime lufte kundër një personi
Prokuroria njoftoi se sipas aktakuzës, i pandehuri ka kryer veprimet penale në periudhën e luftës në Kosovë, në 1998-1999 në fshatin Panorc të Komunës së Malishevës
Prishtinë
Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit me iniciale S.L., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale "Krim i luftës kundër popullsisë civile", transmeton Anadolu.
Për këtë vepër penale e cila është e sanksionuar me Ligjin Penal të Republikës Federale të Jugosllavisë, Prokuroria kosovare njoftoi se sipas aktakuzës, i pandehuri ka kryer veprimet penale në periudhën e luftës në Kosovë, në 1998-1999 në fshatin Panorc të Komunës së Malishevës.
"I pandehuri, duke vepruar në bashkëkryerje me pjesëtar të tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, ka shkelur rregullat e së drejtës ndërkombëtare, duke kryer arrestime të kundërligjshme, tortura fizike dhe psikologjike të rreth 500 qytetarëve që nuk ishin të përfshirë në luftë, dëbime masive të popullatës shqiptare, shkatërrim të pronave dhe plaçkitje", thuhet në njoftim.
Tutje thuhet se i pandehuri gjendet aktualisht nën masën e paraburgimit deri në një vendim tjetër të gjykatës.
Po ashtu, bëhet e ditur se kjo çështje penale tashmë i ka kaluar në kompetencë Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.