BALLKANI

Pronat e sekuestruara të Radoiçiqit, i kalojnë Policisë së Kosovës

Kryeministri Kurti tha se ky plotësim/ndryshim po bëhet për shkak se disa pasuri tashmë të sekuestruara gjenden në disa pika strategjike të territorit kosovar, konkretisht në veri të vendit

Agim Sulaj  | 24.07.2024 - Përdıtësım : 24.07.2024
Pronat e sekuestruara të Radoiçiqit, i kalojnë Policisë së Kosovës

Prishtinë

Qeveria e Kosovës ka miratuar plotësim/ndryshimet e një udhëzimi administrativ që mundëson që pronat e sekuestruara të Milan Radoiçiqit nga veriu i Kosovës, t'i jepen në shfrytëzim Ministrisë së Punëve të Brendshme, përkatësisht Policisë së Kosovës, raporton Anadolu.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se ky plotësim/ndryshim po bëhet për shkak se disa pasuri tashmë të sekuestruara gjenden në disa pika strategjike të territorit kosovar, konkretisht në veri të vendit.

"Ky projekt-udhëzim rregullon të drejtën e Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe Konfiskuar që të japë me qira në fazën e sekuestrimit pasuritë e paluajtshme pa ankand publik nëse ato i kërkon një institucion publik ose organ shtetëror", theksoi Kurti.

Ai tha se shfrytëzimi dhe menaxhimi tyre është i rëndësisë nacionale dhe i kontribuon rritjes së sigurisë territoriale në përgjithësi.

Ministrja e Drejtësisë së Kosovës, Albulena Haxhiu tha se këto prona, aktualisht, janë nën menaxhim të ministrisë që udhëheq ajo, përkatësisht Agjencisë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara ose të Konfiskuara të Kosovës dhe me plotësim/ndryshimin e udhëzimit administrativ eliminohen procedurat e tejzgjatura të kalimit në menaxhim të këtyre pasurive nga kjo agjenci tek institucionet publike.

Haxhiu tha se pronat e sekuestruara të Radoiçiqit gjenden në lokacione me rëndësi strategjike.

Sipas saj, kalimi i tyre nën menaxhimin e institucioneve të sigurisë bëhet me qëllim të "rritjes së sigurisë shtetërore, territoriale dhe institucionale" në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

Milan Radoiçiq mori përsipër organizimin e sulmeve të 24 shtatorit 2023 që ndodhën në Banjskë të Zveçanit dhe institucionet kosovare janë në kërkim të tij për ta vënë para drejtësisë për këtë rast.

Në këtë sulm mbeti i vrarë një polic i Kosovës, ndërsa në përleshjet e armatosura që pasuan, u vranë edhe tre sulmues serbë.

Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara ose të Konfiskuara sekuestroi në prill të këtij viti dy prona të paluajtshme në Mitrovicën e Veriut, një restorant dhe një banesë si dhe një vilë në komunën e Zubin Potokut - që të gjitha në pronësi të Radoiçiqit.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.