Protesta masive në gjithë Serbinë pas thirrjes së studentëve për “grevë të përgjithshme”
Demonstruesit në gjithë Serbinë ndaluan nga ora 11:52 deri në 12:07 pasdite për të nderuar të vdekurit nga shembja në stacionin hekurudhor në Novi Sad
Sarajevë
Një grevë e përgjithshme po mbahet sot në Serbi në formë mosbindjeje civile, e thirrur nga studentët dhe nxënësit e shkollave të mesme që kanë protestuar që nga fundi i nëntorit për vdekjen e 15 personave nga shembja e një pjesë të stacionit hekurudhor në Novi Sad, raporton Anadolu.
Thirrjes për grevën e përgjithshme njëditore i janë përgjigjur shumë persona nga grupe të ndryshme sociale dhe profesione, ndërsa pedagogë dhe avokatë tashmë janë në grevë prej ditësh dhe pritet të bashkëngjiten edhe njerëz nga sektori publik. Grevës i janë bashkuar edhe media të shumta në Serbi.
Policia po zbaton masa të shtuara sigurie dhe është dislokuar gjithashtu në hyrjet e ndërtesës së Radiotelevizionit të Serbisë (RTS).
Protestuesit bllokuan rrethrrotullimin përpara komunës së Beogradit të Ri (Novi Beograd), si dhe rrugë të tjera.
Tubime masive në mbështetje të studentëve u organizuan në shumicën e qyteteve anembanë Serbisë, përfshirë Novi Sadin.
Deputetët dhe këshilltarët e Novi Sadit kanë bllokuar sot autostradën Novi Sad-Beograd.
Sot, demonstruesit në gjithë Serbinë ndaluan nga ora 11:52 deri në 12:07 pasdite për të nderuar të vdekurit nga shembja në stacionin hekurudhor në Novi Sad. Gjatë asaj kohe, shumë media kanë pezulluar gjithashtu transmetimet.
Studentët kanë hapur faqen e internetit “podrzavamstudente.org” ku publikojnë informacionet më të fundit për aktivitetet dhe ngjarjet e tyre në Serbi.
Ata po kërkojnë përgjegjësi për vdekjen e 15 personave nga incidenti në Novi Sad, si dhe për sulmet ndaj studentëve në protesta.
Për sot është paraparë edhe protesta para Presidencës së Serbisë.
Organizator i këtij tubimi është Komisioni Protestues i Juristëve, i cili deklaroi se ky është një reagim ndaj fyerjes së presidentit serb Aleksandar Vuçiq, i cili i quajti “turmë” ata për vendimin e tyre për t’iu bashkuar kërkesave të studentëve me pezullim shtatëditor të punës.
Nga ana tjetër, Partia Progresive Serbe (SNS) në pushtet ka caktuar për sot një tubim në Jagodinë, në të cilin presidenti serb Vuçiq do të prezantojë hapa të rinj dhe një plan për zhvillimin e Serbisë deri në vitin 2032.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.