BALLKANI

Punishtja e protezave bëhet shpresë për personat me aftësi të kufizuara në Shqipëri

Në Tiranë prej disa vitesh funksionon një punishte për prodhimin e protezave të ndryshme. Punishtja e cila është hapur në vitin 2011 është iniciuar nga një person me aftësi të kufizuara dhe i cili edhe vetë përdor proteza prej shumë vitesh

Fatjon Cuka  | 19.04.2025 - Përdıtësım : 19.04.2025
Punishtja e protezave bëhet shpresë për personat me aftësi të kufizuara në Shqipëri Foto: Olsi Shehu/AA

Tiranë

Problematikat me të cilat përballen personat me aftësi të kufizuara në jetën e përditshme në Shqipëri janë të shumta, por këmbëngulja e tyre për integrimin në shoqëri kapërcen çdo vështirësi.

Përveç mbështetjes nga institucionet, organizatat dhe të afërmit e tyre, mbështetja për njëri-tjetrin mes personave më aftësi të kufizuara është një nga shembujt që prek zemrat e njerëzve.

Në Tiranë prej disa vitesh funksionon një punishte për prodhimin e protezave të ndryshme. Punishtja, e cila është hapur në vitin 2011, është iniciuar nga një person me aftësi të kufizuara dhe i cili edhe vetë përdor proteza prej shumë vitesh.

"Kemi pasur një mbështetje të veçantë nga shteti turk"

Izet Onuzi, 55-vjeç, i cili banon në Tiranë, pas aksidentimit të tij që i ndryshoi jetën përdori proteza, por dëshira e tij ishte që të ndihmonte me proteza dhe shërbime të tjera personat me aftësi të kufizuara.

Për Anadolu, Onuzi tregon se gjatë aksidentit hekurudhor në vitin 1994 humbi katër gjymtyrët.

"Jeta ime atyn (pas aksidentit) mori një ndryshim. Ishte shumë e rëndë për mua. Pas disa muajsh vendosa proteza dhe fillova të rehabilitohem, të ngrihem në këmbë dhe të vazhdoj jetën. Fillimi ka qenë shumë i vështirë për mua, po ashtu dhe për familjen time. Unë kisha përkrahjen e familjes time, të afërmve të mi që unë të vazhdoja jetën, të rehabilitohem", shprehet ai.

Onuzi në vitin 2011 themeloi Shoqatën Kombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuar "Shpresa për Jetën". Sipas tij, qëllimi kryesor i kësaj shoqate e programuar edhe si qendër sociale ishte rehabilitimi për të gjithë personat në nevojë të amputuar.

Ai tregon se shoqatën vendosi ta emërtojë “Shpresa për Jetën”, sepse dëshira e tij e madhe ishte që të gjithë bashkëvuajtësve të tij t’u jepte shpresë.

"Të gjitha shërbimet dhe pajisjet ndihmëse që ofron shoqata jonë merren falas. Në ambientet e shoqatës kemi hapur punishten e protezave me të gjitha pajisjet, ku vullnetarisht punon djali im si teknik protezist. Ndihma jonë pranë kësaj shoqate është e fokusuar tek personat më në nevojë. Që nga hapja e shoqatës kemi ndihmuar mbi 170 persona që kanë marrë shërbim falas dhe janë rehabilituar dhe integruar në jetën e tyre sociale", tregon ai.

Shoqata e drejtuar nga Onuzi është ndihmuar ndër vite edhe nga institucionet turke, si Ambasada turke në Tiranë, Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) dhe institucione dhe organizata të tjera.

"Kemi pasur një mbështetje të veçantë nga shteti turk, që na ka ndihmuar me ndihma ushqimore, nëpër rastet e festave të Kurban Bajramit, Ramazanit, por edhe një ndihmë të veçantë na ka ofruar me lëndën e parë për prodhimin e protezave", tha Onuzi.

"Emocioni më i madh është kur vendoset proteza për herë të parë"

Djali i Izetit, Feriz Onuzi, 27-vjeç punon vullnetarisht në punishten e prodhimit të protezave prej pesë vitesh, ndërkohë ai ka studiuar për fizioterapi dhe është specializuar për teknik protezist.

Puna e tij në këtë punishte konsiston në prodhimin e protezave për personat e gjymtuar me aputim.

Për Anadolu Onuzi shprehet se arsyeja pse ai vazhdoi këtë profesion është nga babai, sipas tij, duke u rritur me vuajtjet e babait.

"Emocioni më i madh është kur vendoset proteza për herë të parë tek këto persona dhe kur ata vazhdojnë duke ecur, ka një ndjesi shumë emocionale. Unë kam vendosur ta vazhdoj. Kam pesë vjet që punoj vullnetarisht tek kjo punishte dhe shpresoj të punoj sa më shumë dhe të ndihmojmë sa më shumë persona në të gjithë Shqipërinë", shprehet Onuzi.

Procesi i përgatitjes së protezave zgjat 2-3 javë dhe disa materiale më të rëndësishme për prodhimin e tyre janë fibërkarboni, rezina, shputa, mekanizmi i gjurit dhe të tjera.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın